Greqi/ Kapen 210 kg kokainë në portin e Pireut me destinacion Shqipërinë, arrestohet shqiptari


Policia greke ka goditur një rrjet droge në Portin e Pireut, duke lokalizuar një konteiner me karkaleca deti në të cilin ishte fshehur 210 kg kokainë, ndërsa në pranga është vënë edhe kreu i bandës një 54-vjeçar shqiptar, Jasona Mërkuri.

Destinacioni përfundimtar i kontejnerit, sipas mediave greke ishte Shqipëria nga ku do të bëhej shpërndarja, në Evropën Qendrore dhe Veriore dhe kur të hidhej në treg vlera e saj do të kalonte pesë milionë euro.

Brenda kontejnerit që kishte ardhur nga Amerika Latine, konkretisht e nisur nga Panamaja, ishin karkalecat e ngrira dhe droga. Mbi kokainë ishte e stampuar një kafkë, me flokë dhe mjekër. Autoritetet greke ishin njoftuar prej shërbimeve amerikane për sasinë kokainës në kontejner.

Përveç 54-vjeçarit shqiptar me 3 emra Jasona Mërkuri (Andrea Mërkuri, Azdren Muharremi), është arrestuar edhe Marsel Stafaj, 36-vjeç dhe grekët Ioannis Biglakis 64 vjeç dhe Alexandors Merkouris, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe anëtarë të tjerë të organizatës kriminale brenda dhe jashtë vendit.

 

Jasona Mërkuri (Andrea Mërkuri, Azdren Muharremi), ‘koka e trafikut’ të drogës

Kreu i organizatës ishte shqiptari Jasona Mërkuri, i cili kujdesej për gjetjen e sasive të trafikuara të drogës, financimin e blerjes dhe transportit dhe organizimin e dërgesës nga Panamaja drejt vendeve evropiane. Ortaku i tij ishte Marsel Stafaj 36-vjeç po nga Shqipëria, i cili merrej me gjetjen dhe rekrutimin e partnerëve në Greqi për importimin dhe marrjen e drogës dhe trafikimin e mëtejshëm të saj.

Anëtarë të grupit ishin edhe dy grekë, njëri prej të cilëve ishte përgjegjës për komunikimin me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale me qendër jashtë vendit, duke i përfaqësuar ata për koordinimin e furnizimit dhe financimit të blerjes së sasive të drogës që do të trafikohej, dhe së dyti për të siguruar mbulimin operacional dhe mbrojtjen e ‘kreut të bandës’ duke marrë masat e duhura kundërmbrojtje për të shmangur kapjen e tij.

Jasona (Andrea) Mërkuri ishte në arrati që prej 2017, pasi kërkohej nga policia greke, i akuzuar për prodhim pilulash Captagon, të destinuara për vendet e Lindjes së Mesme (tabletat quhen edhe “droga e xhihadistëve”) dhe i dënuar me 20 vite burg në Greqi. Ndërsa njëri Ioannis Biglakis 64 vjeç, ishte arrestuar edhe në vitin 2012 për transport armësh në Kosta Rika. Sipas informacioneve ai do të transportonte armët dhe në këmbim do të merrte kokainë.