Kur një super jaht me vlerë prej 230 milionë dollarë mbërriti në portin Everett në shtetin e Uashingonit për riparim muajin e kaluar, shkaktoi bujë të madhe në qytetin prej 110 mijë banorësh.
Jahti gjigand luksoz, 106 metra i gjatë, i njohur si Amadea është bllokuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, e cila dyshon se jahti i përket oligarkut dhe politikanit rus ndaj të cilit Uashingtoni ka vendosur sanksione, Suleyman Kerimov, një aleat i Presidentit Vladimir Putin.
Ndërsa shihte drejt portit, banori Bod Templeto shtron pyetjen se kush paguan për mirëmbajtjen e super jahtit. “Duhet ta shesim dhe të fitojmë një thes me para”, i tha ai Zërit të Amerikës duke qeshur.
E lehtë të thuhet, por shumë e vështirë të realizohet. Ideja e thënë aty për aty nga banori Templeton paraqet në thelb një dilemë me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara mes përpjekjeve për të përdorur sanksionet për të frenuar agresionin rus ndaj Ukrainës.
Qeveria amerikane po përpiqet ta sekuestrojë jahtin përmes një procedure të quajtur konfiskim civil. Synimi përfundimtar është që jahti të shitet dhe të ardhurat e përfituara t’i trasferohen Ukrainës.
Por një tjetër sipërmarrës rus, ndaj të cilit nuk janë vënë sanksione, e ka sfiduar këtë masë, me pretendimin se ai është pronari i vërtetë i jahtit Amadea.
Ndërsa gjykatat përpiqen të zgjidhin çështjen e pronësisë së jahtit, taksapaguesit amerikanë po paguajnë faturën, mbi gjysmë milion dollarë në muaj për mirëmbajtje.
Beteja e ndërlikuar ligjore mund të marrë shumë kohë, mund të shtojë kostot për Shtetet e Bashkuara dhe të vonojë çdo përfitim për Ukrainën nga konfiskimi jahtit, sipas zotit Stefan Cassella, ish prokuror federal amerikan dhe ekspert i çështjeve të konfiskimit civil.
“Asnjë oligark i sanksionuar nuk zotëron ndonjë pasuri nën emrin e vet”, tha ai. “Një numër i madh palësh të treta pretendojnë se kanë pronësinë”.
Zoti Kerimov nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për koment. Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk pranoi të komentonte.
Ekipi “Kleptocapture”
Në maj të vitit 2022, disa muaj pasi Rusia ndërmori sulmin në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, organet ligjzbatuese në Fixhi sekuestruan jahtin Amadea me kërkesë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Ishte një fitore e madhe për grupin e posaçëm “Kleptocapture”, njësi e Departamentit të Drejtësisë që u ngrit pas agresionit rus me qëllim zbatimin e sanksioneve. Por përmbushja e detyrës ka rezultuar të jetë e ndërlikuar.
Që nga vitet 80, Departamenti i Drejtësisë e ka përdorur konfiskimin civil si një mekanizëm për të vënë në objektiv trafikantët e drogës, mafian dhe operacionet kundër pastrimit të parave, sipas zotit David Smith, ish prokuror i Departamentit të Drejtësisë, ndër të parët që kanë përdorur këtë praktikë.
Ky mekanizëm i lejon organet ligjzbatuese që të sekuestrojnë pasuri pa e shpallur fajtor për krim pronarin e tyre. Por prokurorëve u duhet që të provojnë se pasuritë në fjalë janë përdorur në akte kriminale, përfituar nga krimi ose janë siguruar përmes veprimtarisë kriminale.
Por në rastet kur vepra penale është shkelja e sanksioneve, paraqitja e provave për të vërtetuar se pasuria zotërohet nga individë të sanksionuar, është kritike.
Avokatët që përfaqësojnë kompaninë që zotëron jahtin Amadea pretendojnë se në të vërtetë jahti i përket zotit Eduard Khudainatov, ish drejtor ekzekutiv i firmës ruse të naftës Rosneft, i cili nuk është subjekt i sanksioneve.
Ai dhe ekipi i tij ligjor thonë se sekuestrimi është i paligjshëm dhe se është bazuar në një deklaratë “me përmbajtje të pavërtetë” të FBI-së.
“Eduard Khudainatov ka qenë dhe është pronari i ligjshëm i Amadeas. Bllokimi antikushtetues i anijes nga administrata e Presidentit Biden u bazua në falsifikime të verifikueshme që ne do t’i vërtetojmë në gjykatë”, tha zëdhënësi i tij në një deklaratë për Zërin e Amerikës.
“Qeveria paraqet teori faktike dhe ligjore që nuk janë të lidhura me sekuestrimin në rastin e sanksioneve dhe ligjet e pastrimit të parave dhe që nuk mbështeten nga çështjet që interpretojnë ato ligje. Ky rast nuk është gjë tjetër veçse një teatër politik që u ka kushtuar taksapaguesve amerikanë më shumë se 20 milionë dollarë deri më sot”.
Qeveria amerikane i hedh poshtë aludimet, duke e cilësur zotin Khudainatov si pronar të rremë.
Sipas prokurorëve, zoti Khudainatov është “gjoja pronari i të paktën tetë jahteve ose projekteve të jahteve”, një flotë me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Mes tyre është një jaht, për të cilin prokurorët thonë se në fakt është në pronësi të individit të sanksionuar Igor Sechin, drejtor ekzekutiv i firmës “Rosneft” dhe një aleat i Presidentit Putin.
Gazetarët raportojnë se jahti “Scheherazade”, i bllokuar në Itali në majt të vitit 2022, i përket vetë Putinit.
Ndërsa avokatët e zotit Khudainatov nuk qenë në gjendje të paradalonin transferimin e jahtit Amadea në Shtetet e Bashkuara, aktualisht ata po zhvillojnë një betejë ligjore kundër konfiskimit në gjykatën e Nju Jorkut.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, zoti Kerimov e bleu jahtnin në vitin 2021, tre vjet pasi ai u përfshi në listën e sanksioneve. Prokurorët dyshojnë se vetë oligarku ose persona të lidhur me të kanë kryer transaksione përmes institucioneve financiare të Shteteve të Bashkuara për të mbajtur Amadea-n, gjë që do të përbënte shkelje të sanksioneve.
Por të provosh pronësinë e zotit Kerimov dhe të hedhësh poshtë pretendimin e zotit Khudainatov nuk është detyrë e lehtë.
Pasuri të tilla si super jahtet shpesh zotërohen nga disa përfaqësues të autorizuar si pronarë, kompani guackë dhe truste. Këto subjekte shpesh regjistrohen në parajsa fiskale të zgjedhura pikërisht për të ruajtur fshehtësinë.
Zoti Cassela, i cili e ka studiuar rastin, thotë se ekipi ligjor i zotit Khudainatov po i zvarrit procedurat, ndërsa qeveria amerikane po përpiqet ta detyrojë atë t’u përgjigjet pyetjeve dhe të sigurojë dokumentacionin që do të vërtetonte se ai nuk është pronari i Amadeas.
“Kjo lloj mbrojtje kundër konfiskimit civil është manovra bazë për këdo që ka para pa fund për të paguar avokatët për të kundërshtuar konfiskimin”, tha zoti Cassella.
Proces i kushtueshëm
Ndërsa vazhdon beteja ligjore, qeveria amerikane po paguan për ta mbajtur jahtin Amadea në funksion.
Sipas dosjeve gjyqësore, mirëmbajtja e jahtit kushton afërsisht 600,000 dollarë në muaj. Siguracioni kushton 144,000 dollarë të tjerë, në muaj, ndërsa ka edhe shpenzime të tjera periodike.
Në një document të dorëzuar në gjykatë në muajin shkurt, një zyrtar i Shërbimit të Marshallëve deklaronte se planifikohej që Amadea t’i nënshtrohej procesit të riparimit në mars, i cili duket se është shtyrë.
Ky proces, që përfshin heqjen e një anijeje nga uji për t’iu nënshtruar riparimeve, u vlerësua të kushtonte 5.6 milionë dollarë, megjithëse qeveria negocioi që të mos paguante shpenzimet e tjera mujore gjatë asaj periudhe, vuri në dukje zyrtari. Megjithatë, në muajt e fundit, qeveria amerikane ka ndërmarrë hapa për të ulur koston.
Në shkurt, ajo i bëri kërkesë gjykatës që të lejonte shitjen e jahtit Amadea, duke përmendur kostot e tepërta të mirëmbajtjes. Megjithatë, shitja nuk do ta zgjidhte çështjen e pronësisë.
Në një parashtrim ligjor para gjykatës kundër shitjes së jahtit, ekipi ligjor i zotit Khudainatov deklaroi se ai kishte ofruar vazhdimisht që të mbulonte koston e mirëmbajtjes së Amadeas.
Më 17 maj, qeveria e Shteteve të Bashkuara paraqiti gjithashtu një kërkesë për të hedhur poshtë pretendimin e pronësisë nga zoti Khudainatov, duke deklaruar se ai nuk ka argumenta për ta kundërshtuar konfiskimin. Nëse gjykatësi e pranon, kjo mund të lejojë që konfiskimi të vazhdojë.
Strategji e debatueshme dhe sfida
Ndërsa konfiskimi i pasurive të oligarkëve rusë dhe zyrtarëve të lartë mund të mos përballet me kundërshtime të ashpra nga shumica e amerikanëve, konfiskimi civil është një praktikë e debatueshme në Shtetet e Bashkuara.
Grupe liberale dhe konservatore e kanë kritikuar praktikën, duke argumentuar se ajo i lejon organet ligjzbatuese që të konfiskojnë një pronë private pa e dënuar pronarin për një krim.
Zoti Smith thotë se barra rëndon kryesisht tek amerikanët me të ardhura të ulëta, të cilët e kanë të vështirë të paguajnë për një avokat.
Kjo ishte një nga arsyet se pse në prill të vitit 2022, tetë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara votuan kundër një projektligji sipas të cilit administrata e Presidentit Biden mund të konfiskonte pasuritë e rusëve ndaj të cilëve janë vënë sanksione, për të financuar Ukrainën.
Zoti Smith beson se zbatimi i mekanizmit të konfiskimit civil ndaj oligarkëve është “arbitrar” dhe ai po ashtu shprehet i pasigurt nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të konfiskojnë pasuri të mjaftueshme nga oligarkët për të bërë një ndryshim domethënës për Ukrainën.
“Unë do të preferoja që paratë (e shpezuara për hetime dhe procedime për konfiskimin) të shpenzoheshin për për gjëra të tjera në vend që të bëheshin përpjekje për konfiskimin e jahteve”, tha ai. “Dhe kush e di se sa do të konfiskohen në fund fare”.
Ky shqetësim nuk është i pa bazë. Grupi i posaçëm “Kleptocapture” po bën përpjekje për konfiskim ose vënë nën kontroll rreth 700 milionë dollarë, por deri më tani, Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë në vetëm pak raste që t’i transferojnë Ukrainës pasuritë e konfiskuara.
Në maj të vitit 2023, Prokurori Përgjithshëm, Merrick Garland, autorizoi dërgimin në Ukrainë të 4.5 milionë dollarëve që Shtetet e Bashkuara i kishin konfiskuar nga oligarku rus Konstantin Malofeyev ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione. Ishte rasti i parë i trasnferimit të fondeve drejt Ukrainës nga pasuritë e konfiskuara.
Më vonë gjatë atij viti, Shtetet e Bashkuara transferuan mbi 1 milion fishekë drej Ukrainës pasi i konfiskuan ndërsa transportoheshin nga Irani drejt Jemenit.
Në shkurt të vitit 2024, pasi shkatërroi një skemë për të prokuruar në mënyrë të paligjshme teknologji të nivelit ushtarak për Rusinë, qeveria e Shteteve të Bashkuara transferoi në Estoni 500 mijë dollarë të konfiskuara nga skema ruse për të ofruar ndihmë për Ukrainën.
Në prill, Shtetet e Bashkuara transferuan në Ukrainë një tjetër dërgesë me armatime të konfiskuar nga Irani. Këto transferta vunë në dispozicion të qeverisë ukrainase fonde dhe municione, por ato kishin gjithashtu një vlerë dukshëm më të ulët se sa jahti Amadea. Rastet më të mëdha që përfshijnë pasuritë e oligarkëve mund të jenë më të vështira.
“Nuk do të më befasonte nëse do të duheshin 10 vjet për t’i zgjidhur disa nga këto raste”, tha zoti Cassella. /VOA