Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri i Gjeorgjisë akuzon zyrtarin e BE: Më kërcënoi, më tha se do e pësoja si Fico


Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze ka pohuar se një komisioner evropian i tha atij se mund të përfundonte me të njëjtin fat si kryeministri sllovak Robert Fico, i cili i mbijetoi një atentati javën e kaluar.

Në një postim në Facebook të enjten, Kobakhidze tha se komisioneri i paidentifikuar e paralajmëroi atë gjatë një telefonate të kohëve të fundit se Perëndimi do ndërmerrte “një numër masash” kundër tij nëse qeveria e tij ecte përpara me një ligj që u kërkon OJQ-ve të huaja në Gjeorgji të zbulojnë financimin e tyre.

Duke renditur këto masa, ai përmendi: “E shihni çfarë ka ndodhur me Fico-n dhe duhet të jeni shumë të kujdesshëm”, ka shkruar ai.

Fico u qëllua pesë herë ndërsa po takohej me mbështetësit jashtë një takimi të qeverisë në qytetin Handlova më 15 maj. Ai u dërgua me urgjencë në spital, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të menjëhershme dhe tashmë po riatësohet  nga plagët. Atenatori i tij , një poet 71-vjeçar që dyshohet se nuk ishte dakord me pezullimin e ndihmës ushtarake nga Fico për Ukrainën, është akuzuar për tentativë vrasje.

Parlamenti i Gjeorgjisë miratoi “Aktin e Transparencës së Ndikimit të Huaj” javën e kaluar. Ligji kërkon që OJQ-të, organet e mediave dhe individët që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si subjekte që “promovojnë interesat e një fuqie të huaj” dhe të zbulojnë donatorët e tyre.

Ndërsa për aktin ka vënë veton presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, parlamenti pritet të anashkalojë veton.

Pavarësisht ligjeve të ngjashme të rrepta për ndikimin e huaj që ekzistojnë në SHBA, Britani dhe vende të tjera perëndimore, ligji për agjentët e huaj të Gjeorgjisë është dënuar ashpër nga zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së, me Uashingtonin që konsideron “veprime” të paspecifikuara kundër Tbilisit dhe anëtarëve të shumtë të BE-së që peshojnë sanksione sipas raportimeve të mediave.

“Ne jemi mësuar prej kohësh me këtë lloj shantazhi fyes,” shkroi Kobakhidze.

“Paraleli i tërhequr me tentativën për vrasjen e Robert Fico-s na kujton se në formën e Partisë së Luftës Globale, kemi të bëjmë me një forcë jashtëzakonisht të rrezikshme që kërkon të bëjë gjithçka për të sjellë kaos në Gjeorgji”.

Në një intervistë me Channel 1 të Gjeorgjisë të mërkurën, Kobakhidze argumentoi se pa një ligj transparence, OJQ-të e financuara nga jashtë që veprojnë në vend mund të nxisin lehtësisht një revolucion të ngjashëm me ngjarjet në sheshin Maidan në Ukrainë në vitin 2014.