Vendosni fjalën kyçe....

Në epokën e helmit online – Një reflektim mbi talljet dhe kritikën ndaj gabimeve publike


 

Ka dy ditë që rrjeti zien me tallje e shkelma për dy moderatorë të një emisioni mëngjesi, të cilët, për shkak të disa gafave, janë larguar nga puna.

Disa gabime janë të qëllimshme dhe tallëse, ndërsa të tjerat vijnë nga mosdija ose profesionalizmi i paplotësuar ende. Në këtë rast, gafat e tyre duket se vinin nga kjo e fundit, për të cilën u morën dhe masa.

Deri këtu, gjithçka duket në rregull. Por, duke bërë një xhiro nëpër depot e helmit të portaleve, konkretisht në seksionet e komenteve, vura re se gafat e këtyre dy moderatorëve të rinj kishin prekur thellë madh e të vogël.

Një ashpërsi që të kallte datën, një valë kritikash sikur sapo i kishin bërë osana Hitlerit. Kritika nuk kursente as për pamjen, as për mendjen, dhe as për “krimin monstruoz” që kishin bërë në atë emision mëngjesi.

 

Një Spektakël i Turpit në Komente

Dihet stili tashmë. Mjeshtrat e portaleve publikojnë një lajm, esencën e së cilit portalet përpiqen ta japin që sa hedh sytë në atë lajm. Një foto jo shumë e denjë dhe ndonjë titull tallës dhe aq duhet që të fillojë cirku i helmit pastaj nëpër komente. Shumica as që e lexojnë deri në fund se çfarë është shkruar. Marrin hov nga komentet pararendëse që pushkatojnë subjektin e lajmit dhe aty Zoti qoftë me kë po lakohet.

E në rastin konkret, pashe aty burra e gra me foto profili me nipër e mbesa që kritikonin egërsisht, duke të kallur datën për karakterin që po ju mësojnë atyre nipave apo mbesave.

Ishte një spektakël grotesk të shihje analfabetë totale që abetaren e kanë lënë deri te shkronjat gk, por ja që me atë shqipe çale-çale i bënin copë këta të rinj.

Dhe intelektualë që vetëm intelektin nuk vinin në punë për të kuptuar pse po na ndodhin këto. Pse nuk e dinë këta të rinj një copëz historie? Pse nuk ka një filtër në këto emisione mëngjesi? Pse dështoi drejtori i programit? Pse deshtoi skenaristi? Ore mos ka dështuar shkolla e gazetarisë? Ose ca më këndej, vetë gjimnazi? Asnjë “pse” asnjë për be. Vetëm helm e helm, sepse, kur akumulon aq shumë, normal që do të duhet ta nxjerrësh, dhe raste si këto janë mishi perfekt për topin e helmit që duhet të plasë përditë.

 

A Po Ndajmë Kritika të Drejta apo Thjesht Helm?

Është e qartë se gabimet e moderatorëve nuk janë rezultat i qëllimit të keq, por më tepër i një mungese të edukimit të duhur dhe përgatitjes profesionale.

Në vend që të analizojmë se pse të rinjtë nuk kanë njohuritë e nevojshme për të shmangur këto gabime, shumë zgjedhin rrugën më të lehtë të talljes dhe kritikës së pamëshirshme. Dhe ky është problemi kryesor: pse ngatërrojmë kritikën me tallje dhe shkelmime? Kush ka qenë ai mësues i keq moral që i ka mbushur mendjen shoqërisë që kritika është baraz me një kovë me helm?

 

Mungesa e Filtrit dhe Përgjegjësia e Medias

Një pyetje që duhet ngritur është: pse deshtoi drejtori i programacionit? Pse deshtoi skenaristi? Pse nuk ka një filtër në këto emisione mëngjesi? Apo në çdo emision tjetër që rëndom shohim në media. Po për emisionet që promovojnë injorancën dhe luksin e shfrenuar të ca personazheve pa asnjë vlerë? Po ata pseudogazetarë me pushkë në dorë që vrasin sërish e sërish gratë dhe fëmijët që dhunohen?

Këto janë pyetje të rëndësishme që kërkojnë një reflektim të thellë mbi mënyrën se si funksionojnë mediat tona dhe cilësinë e përgatitjes së stafit të tyre. Një mungesë profesionalizmi në këtë sektor mund të ketë pasoja të gjera dhe të dëmshme. Filtrat dhe kontrollet duhet të jenë të forta për të siguruar cilësinë dhe saktësinë e përmbajtjes së transmetuar. Dhe mbi të gjitha, etika! Po etika është fjalë e pacekshme nga mendja e ngushtë dhe e sfilitur nga frustrimi.

 

Arsyeja e Kritikes së Ashpër

Pse njerëzit reagojnë kaq ashpër ndaj këtyre gabimeve? Një nga arsyet mund të jetë akumulimi i zemërimit dhe frustrimit në jetën e përditshme. Kur njerëzit ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar gjërat që i shqetësojnë, ata shpesh e shprehin zemërimin e tyre në mënyra që mund të duken të papërshtatshme ose të tepruara.

Kjo është një formë e nxjerrjes së helmit të akumuluar, dhe raste si këto janë mishi perfekt për topin e helmit që duhet të plasë përditë. Në vend që të analizojmë gabimet e të rinjve me një qasje konstruktive dhe të përpiqemi të kuptojmë arsyet pas tyre, zgjedhim rrugën më të lehtë të talljes dhe kritikës së pamëshirshme.

E kemi të gjithë në dorë t’i kritikojmë dhe t’i poshtërojmë, por nuk harrojmë që kjo sjellje nuk na bën më të mirë, përkundrazi, na ekspozon për atë që jemi vërtetë: një shoqëri e mbushur me helm e cinizëm, e cila kërkon çdo ditë viktimën e radhës për të shkarkuar mllefin e saj.

E kam të qartë që kot harxhoj frymën, ose kohën por…

Empati dhe Mirëkuptim: Para se të kritikojmë dhe tallim të tjerët, duhet të përpiqemi të kuptojmë arsyet pas gabimeve të tyre. Të gjithë bëjmë gabime dhe mund të mësojmë nga to. Duke pasur më shumë empati dhe mirëkuptim, ne mund të ndihmojmë në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm dhe më mbështetës për të gjithë. Gabimet janë pjesë e natyrshme e të qenit njeri, dhe të gjithë kemi nevojë për mundësinë të mësojmë dhe të përmirësohemi.

Sot ata, nesër do jesh ti! Kjo është pak po e sigurt. Sot nuk ka më 15 minuta fame por 15 minuta turpi të rezervuara për këdo që ekspozohet në hapësirën mediatike online.

Kritika Konstruktive: Kritika është e vlefshme vetëm kur është konstruktive dhe e orientuar drejt përmirësimit. Kritikat shkatërruese dhe talljet vetëm sa përkeqësojnë situatën dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve. Është vetëm një rreth vicioz që përsërit vetveten. Duhet të mësojmë të japim kritikë që ndihmon në përmirësimin e personit dhe të situatës. Në vend që të përdorim kritika për të shkatërruar, duhet të përdorim kritika për të ndërtuar.

Përgjegjësia e Medias: Mediat kanë një përgjegjësi të madhe për të edukuar dhe informuar publikun në mënyrë të saktë. Një mungesë profesionalizmi në këtë sektor mund të ketë pasoja të gjera dhe të dëmshme. Duhet të ketë filtra dhe kontrolle më të forta për të siguruar cilësinë dhe saktësinë e përmbajtjes së transmetuar. Media duhet të jetë një burim i besueshëm dhe i përgjegjshëm i informacionit, dhe kjo kërkon standarde të larta etike dhe profesionale. Kjo mbi të gjitha është

 detyrë e gazetarëve profesionistë të cilët kanë rol thelbësor në tërheqjen e mendësisë drejt etikës dhe së vërtetës. Vorbullat e fjalëve i takojnë plugut. Dhe pikë.

Reflektimi Personal: Para se të bëhemi pjesë e turmës së helmit, duhet të reflektojmë mbi veten dhe të pyesim nëse jemi duke kontribuar pozitivisht apo negativisht në diskutimin publik. Nëse nuk kemi diçka konstruktive për të thënë, ndoshta është më mirë të heshtim. Në fund të fundit, mënyra se si reagojmë ndaj gabimeve të të tjerëve reflekton karakterin tonë dhe nivelin e civilizimit të shoqërisë sonë.

Në përfundim, nga sa më sipër nuk do të thotë të injorojmë gabimet, por të mësojmë të reagojmë ndaj tyre me një qasje më njerëzore dhe konstruktive. Shoqëria jonë do të jetë më e shëndetshme dhe më e fortë kur të mësojmë të kritikojmë për të ndihmuar, jo për të shkatërruar. Do ta kesh dhe ti më të lehtë në një shoqëri të tillë, mos harro, askush nuk është imun nga helmi. Sot ata, nesër ti./Hashtag.al