Vendosni fjalën kyçe....

Shumë krerë shtetesh humbën jetën në aksidente ajrore, të gjitha përplasjet që nga viti 1936


Rrëzimi i një helikopteri që mbante presidentin iranian Ebrahim Raisi të dielën solli në qendër të vëmendjes shumë incidente të ngjashme në të cilat krerët e shteteve apo qeverive mbijetuan ose humbën jetën.

Më poshtë është një listë e përplasjeve të helikopterëve dhe avionëve që përfshinin krerët e shteteve dhe qeverive që datojnë që nga viti 1936.

Më 9 dhjetor 1936, kryeministri i atëhershëm suedez Arvid Lindman vdiq kur avioni “Douglas DC-2” në të cilin ndodhej u përplas në shtëpi pranë aeroportit “Croydon” në mjegull të dendur menjëherë pas ngritjes.

Më 7 shtator 1940, presidenti i Paraguajit, Marshalli Jose Felix Estigarribia vdiq në një aksident me avion.

Më 4 korrik 1943, ushtaraku dhe burri i shtetit polak Wladyslaw Sikorski, i cili udhëhoqi qeverinë e Polonisë në mërgim gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiq kur avioni i tij u rrëzua në Gjibraltar.

Më 16 qershor 1958, presidenti i atëhershëm i përkohshëm i Brazilit, Nereu Ramos, vdiq kur një aeroplan që i përkiste “Cruzeiro Airlines” u rrëzua.

Më 29 mars 1959, Barthelemy Boganda, president i Republikës së Afrikës Qendrore dhe një hero i pavarësisë, ndërroi jetë pasi avioni i tij u rrëzua.

Më 18 shtator 1961, avioni i Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së Dag Hammarskjold, i cili ishte në detyrë për të ndërmjetësuar paqen në Kongo, u rrëzua në Zambian e sotme. Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë Hammarskjold, vdiqën në aksident.

Më 13 Prill 1966, presidenti i Irakut Abdul Salam Arif vdiq në një aksident me helikopter. Arif erdhi në pushtet përmes një grushti shteti në shkurt 1963.

Më 27 Prill 1969, presidenti bolivian Rene Barrientos vdiq kur helikopteri i tij u rrëzua në qytetin e Cochabamba.

Më 18 janar 1977, avioni “Learjet 25” i kryeministrit jugosllav Dzemal Bijedic u rrëzua në malin Inac pranë qytetit të Kreshevës në Bosnje dhe Hercegovinë. Bijedic, gruaja e tij dhe gjashtë persona të tjerë vdiqën në aksident.

Më 27 maj 1979, një aeroplan që mbante kryeministrin e Mauritanisë Ahmed Ould Bouceif, i cili do merrte pjesë në një samit afrikan, u rrëzua në brigjet e Dakarit. Bouceif vdiq në aksident.

Më 4 dhjetor 1980, kryeministri portugez Francisco Sa Carneiro dhe ministri i Mbrojtjes Adelino Amaro da Costa vdiqën kur avioni i tyre u rrëzua në kryeqytetin Lisbonë menjëherë pas ngritjes.

Më 24 maj 1981, presidenti ekuadorian Jaime Roldos Aguilera dhe ministri i Mbrojtjes, Gjeneralmajor Marco Subia Martinez humbën jetën kur avioni në të cilin ndodheshin u rrëzua pranë kufirit me Perunë.

Më 31 korrik 1981, presidenti panamez Omar Torrijos vdiq kur avioni i vogël me të cilin po fluturonte u rrëzua në një pyll.

Më 19 tetor 1986, një aeroplan me dy motorë që transportonte presidenten e Mozambikut Samora Machel dhe disa ministra të qeverisë u rrëzua pranë kufirit Mozambik-Afrikën e Jugut. Tridhjetë e tre persona vdiqën në aksident, duke përfshirë Machel, disa ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë. Në hetimet e kryera pas aksidentit, piloti u gjet fajtor.

Më 1 qershor 1987, kryeministri libanez Rashid Karami humbi jetën kur një bombë shpërtheu në helikopterin në të cilin ndodhej për të shkuar në Bejrut. Bomba me telekomandë, me peshë rreth 300 gram dhe e vendosur pas sediljes ku do ulej, u shpërthye menjëherë pasi u ngrit. Nga aksidenti humbi jetën vetëm Karami.

Më 17 gusht 1988, një avion ushtarak “C-130” që mbante presidentin pakistanez Zia-ul-Haq, pesë gjeneralët e tij dhe ambasadorin e SHBA Arnold Lewis Raphel u rrëzua pranë Bahaëalpur, afërsisht 530 kilometra në jug të kryeqytetit Islamabad. Në aksidentin ku nuk kishte të mbijetuar, hetuesit thanë se bëhej fjalë për një sabotim.

Më 6 prill 1994, një aeroplan që transportonte presidentin e Burundit Cyprien Ntaryamira dhe presidentin e Ruandës Juvenal Habyarimana u qëllua në afërsi të aeroportit të Kigalit. Nga avioni që u rrëzua në zonën ku ndodhet pallati presidencial, nuk kishte të mbijetuar.

Më 26 shkurt 2004, një aeroplan me Boris Trajkovskin, i cili shërbeu si presidenti i dytë i Maqedonisë, dhe delegacioni i tij shoqërues u rrëzua pranë qytetit të Mostarit në Bosnje dhe Hercegovinë. Tetë persona, duke përfshirë Trajkovskin dhe këshilltarët e tij, vdiqën në aksident. Një komision ndërkombëtar i krijuar për të hetuar rrëzimin e avionit, njoftoi në një raport të ndarë me publikun pas dy vitesh hetime se rrëzimi i avionit ishte rezultat i “gabimit të pilotit”.

Më 10 prill 2010, një aeroplan “Tupolev 154” që transportonte 96 persona, përfshirë presidentin e Polonisë Lech Kaczynski dhe gruan e tij, mbërriti në aeroportin rus të Smolensk, ku ata do merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore të Masakrës së Katinit, në të cilën rreth 22,000 polakë u ekzekutuan gjatë periudhës së Stalinit. Gjatë uljes, avioni u përplas në një zonë pyjore. Nuk kishte të mbijetuar.

Më 5 shkurt 2024, një helikopter “Robinson R-66” që mbante ish-presidentin kilian Sebastian Pinera dhe shoqëruesit e tij u rrëzua në liqenin Ranco në rajonin e Los Rios. Helikopteri u rrëzua menjëherë pas ngritjes për shkak të shiut të dendur dhe mjegullës së dendur. Tre persona arritën të hidheshin në liqen dhe të dilnin në breg, Pinera vdiq pasi nuk mundi të zgjidhte rripin e sigurimit.

Krerët e shteteve që u mbijetuan aksidenteve ajrore

Më 11 prill 1955, kryeministri kinez Zhou Enlai i mbijetoi një atentati në një aeroplan të “Air India” që ai kishte marrë me qira për në Indonezi. Zhou, i cili ndryshoi planet e tij të udhëtimit në minutën e fundit pas njoftimit, nuk hipi në aeroplan. Avioni u rrëzua në Detin e Kinës Jugore pasi një bombë shpërtheu. Njëmbëdhjetë pasagjerë humbën jetën dhe tre mbijetuan.

Më 17 shkurt 1959, Adnan Menderes, kryeministri i nëntë i Turqisë, ishte 4.5 kilometra larg aeroportit “Gatwick” në Londër, ku kishte shkuar për të nënshkruar një marrëveshje për Qipron midis Turqisë, Anglisë dhe Greqisë. Ai mbijetoi kur avioni i tij u rrëzua. Në aksident humbën jetën 14 persona, mes të cilëve edhe drejtori i atëhershëm i Anadolu, Serif Arzik dhe u plagosën shtatë persona, përfshirë ekuipazhin dhe pasagjerët.

Më 9 shkurt 1977, ish-mbretëresha e Jordanisë A Alia Toukan vdiq në një përplasje helikopteri në qytetin e Tafila. Burri i Toukan, mbreti Husein bin Talal, i mbijetoi aksidentit. Ministri jordanez i Shëndetësisë në atë kohë, Mohammed al-Beshir, humbi jetën në aksidentin, i cili ndodhi për shkak të një stuhie të fortë shiu.

Në qershor të vitit 1994, mbreti Charles III i Anglisë, i cili në atë kohë ishte Princi i Uellsit, humbi kontrollin e aeroplanit me të cilin po fluturonte për shkak të erërave të forta, duke shkaktuar rrëzimin e tij.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Anadolu Agency

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani