Shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë të premten se disa vende evropiane po përpiqen t’i frikësojnë gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJND), për shkak të rastit kundër liderëve të Izraelit.
Ai u bëri thirrje atyre të mos “ndërhyrjen” dhe ta respektojnë gjykatën.
Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, njoftoi të hënën se ka bërë kërkesë për lëshimin e fletarrestimeve kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe kundër tre liderëve të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja.
“Prokurori nuk ka bërë asgjë më shumë se një akuzë dhe për këtë do të vendosë gjykata. U bëj thirrje të gjithëve, duke nisur nga Qeveria e Izraelit dhe disa qeveri evropiane, të mos i frikësojnë gjykatësit”, tha Borrell për transmetuesin spanjoll TVE.
“Mos i kërcënoni ata, mos tentoni të ndikoni në vendimet e tyre, nganjëherë me kërcënime dhe me diskualifikime shumë të ashpra”, shtoi ai.
Khan se beson se Netanyahu, Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.
Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë dënuar kërkesën e Khanit për fletarrestime kundër liderëve të tyre.
Izraeli e mohon se po kryen krime lufte në Gazë dhe thotë se GJNP-ja nuk ka juridiksion atje.
Disa vende e kanë dënuar vendimin e prokurorit të GJNP-së për të kërkuar fletarrestime për liderët e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Izraelit, i cili nuk është pjesë e GJNP-së.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL