Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimeve për programin, me ekspertë të fushës dhe grupet e punës, ka diskutuar në mbledhjen e radhës projektin e PD për shëndetësinë.
Vetë kreu demokrat, në një postim në Facebook, ka dhënë disa detaje të këtij programi.
Duke akuzuar koncensionet në shëndetësi, Basha theksoi se sot shqiptarët shpenzojnë deri në 60% më shumë para nga xhepi për shërbimet e trajtimet mjekësore.
“Me ekipin e shëndetësisë diskutuam për planin tonë që do t’u mundësojë qytetarëve shërbim shëndetësor me cilësi dhe shpejtësi. Ndërkohë që miliona euro është fatura korruptive e koncesioneve në shëndetësi, sot shqiptarët shpenzojnë deri në 60% më shumë para nga xhepi për shërbimet e trajtimet mjekësore. Kjo është shifra më e lartë ndër vendet e Ballkanit, çka tregon gjendjen e vështirë në sektorin e shëndetësisë. Po kështu, qytetarët po vuajnë pasojat e medikamenteve jo cilësore ndërsa në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt. Një tjetër problem është mungesa e aparaturave dhe koha e gjatë që u duhet të presin pacientët për egzaminime.
Me paratë që janë abuzuar me koncensione, PPP e tendera, çdo qeveri e përgjegjëshme do të kishte ofruar një shërbim cilësor për pacientët aty ku jetojnë dhe do të kishte përmirësuar kushtet e punës dhe ato financiare të stafeve mjekësore. Eksodi i mjekëve nuk ndalet duke i “burgosur” në Shqipëri, por duke u krijuar kushte dhe mundësi për një jetë dinjitoze, për rritje profesionale dhe kushte për të ushtruar profesionin e tyre. Të gjitha problematikat janë adresuar në mënyrë të detajuar, duke ofruar zgjidhjet e nevojshme që kontributet për sigurimin shëndetësor që qytetarët kanë paguar, të mos shkojë dëm dhe ata të kenë shërbim shëndetësor në çdo kohë dhe barna cilësore për trajtimin e sëmundjeve të tyre”, thotë Basha.