Presidenti rus Putin është gati të ndalojë luftën në Ukrainë me një armëpushim të negociuar që njeh linjat e tanishme në fushëbetejë, thanë katër burime ruse për Reuters, duke thënë se ai është i përgatitur të luftojë nëse Kievi dhe Perëndimi nuk përgjigjet.
Tre nga burimet, të njohur me diskutimet në rrethin e Putinit, thanë se kreu rus kishte shprehur zhgënjimin ndaj një grupi të vogël këshilltarësh për atë që ai i sheh si përpjekje të mbështetura nga perëndimi për të penguar bisedimet dhe vendimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të përjashtuar bisedimet.
“Putini mund të luftojë për aq kohë sa duhet, por ai është gjithashtu gati për një armëpushim, për të ngrirë luftën,” tha një tjetër nga katër burimet, një zyrtar i lartë rus që ka punuar me Putinin dhe ka njohuri mbi bisedat e nivelit të lartë në Kremlin.
Ai, si të tjerët të përmendur në këtë histori, foli në kushte anonimiteti duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes.
Për këtë çështje, Reuters foli me gjithsej pesë persona që punojnë ose kanë punuar me Putinin në një nivel të lartë në botën politike dhe të biznesit. Burimi i pestë nuk komentoi mbi ngrirjen e luftës në vijat e tanishme të frontit.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, në përgjigje të një kërkese për koment, tha se shefi i Kremlinit e kishte bërë të qartë vijimësisht se Rusia ishte e hapur për dialog për të arritur qëllimet e saj, duke thënë se vendi nuk dëshiron “luftë të përjetshme”.
Ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes e Ukrainës nuk iu përgjigjën pyetjeve.
Emërimi javën e kaluar të ekonomistit Andrei Belousov si ministër i Mbrojtjes i Rusisë u pa nga disa analistë ushtarakë dhe politikë perëndimorë si masë për vendosjen e ekonomisë ruse në një bazë të përhershme lufte me qëllim që të fitonte një konflikt të zgjatur.
Ai pasoi presionin e qëndrueshëm në fushën e betejës dhe përparimet territoriale nga Rusia në javët e fundit.
Megjithatë, burimet thanë se Putini, i rizgjedhur në mars për një mandat të ri gjashtëvjeçar, më mirë do të përdorte momentin e tanishëm të Rusisë për ta lënë pas luftën. Ata nuk e komentuan drejtpërdrejt ministrin e ri të Mbrojtjes.
Bazuar në njohuritë e tyre për bisedat në radhët e larta të Kremlinit, dy nga burimet thanë se Putin ishte i mendimit se përfitimet në luftën e deritanishme ishin të mjaftueshme për t’i shitur një fitore popullit rus.
Konflikti më i madh tokësor i Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore ka kushtuar dhjetëra mijëra jetë nga të dyja palët dhe ka çuar në sanksione gjithëpërfshirëse perëndimore ndaj ekonomisë ruse.
Tre burime thanë se Putini e kupton se çdo përparim i ri dramatik do kërkonte një mobilizim tjetër mbarëkombëtar, të cilin ai nuk e donte, me një burim, i cili e njeh presidentin rus, duke thënë se popullariteti i tij ra pas mobilizimit të parë në shtator 2022.
Thirrja kombëtare trembi një pjesë të popullsisë në Rusi, duke bërë që qindra mijëra burra të moshës për armë të largoheshin nga vendi. Sondazhet treguan se popullariteti i Putinit ra me disa pikë.
Peskov tha se Rusia nuk kishte nevojë për mobilizim dhe në vend të kësaj po rekrutonte kontraktorë vullnetarë në forcat e armatosura.
Perspektiva për një armëpushim, apo edhe për bisedime paqeje, duket ende e largët. Zelensky ka thënë vijimësisht se paqja sipas kushteve të Putinit nuk është e mundur. Ai është zotuar të rimarrë territorin e humbur, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në 2014. Ai nënshkroi një dekret në vitin 2022 që zyrtarisht shpalli çdo bisedë me Putinin “të pamundur”.
Një nga burimet parashikoi se asnjë marrëveshje nuk mund të ndodhte derisa Zelensky të jetë në pushtet, përveç nëse Rusia e anashkalon atë dhe arrin një marrëveshje me Uashingtonin. Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur në Kiev javën e kaluar, u tha gazetarëve se nuk besonte se Putin ishte i interesuar për negociata serioze.
Bisedimet zvicerane
Ukraina po përgatitet për bisedimet e organizuara nga Zvicra muajin e ardhshëm që synojnë unifikimin e opinionit ndërkombëtar se si t’i jepet fund luftës. Bisedimet u mblodhën me nismën e Zelenskyt, i cili ka thënë se Putini nuk duhet të marrë pjesë. Zvicra nuk e ka ftuar Rusinë. Moska ka thënë se bisedimet nuk janë të besueshme pa qenë aty. Ukraina dhe Zvicra duan që aleatët rusë, përfshirë Kinën, të marrin pjesë.
Duke folur në Kinë më 17 maj, Putin tha se Ukraina mund të përdorë bisedimet zvicerane për të gjetur një grup më të gjerë vendesh për të mbështetur kërkesën e Zelenskyt për një tërheqje të plotë ruse, për të cilën Putin tha se do ishte një kusht i detyruar dhe jo një negociatë serioze paqeje.
Ministria e Jashtme e Zvicrës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Ne jemi gati për diskutim. Ne kurrë nuk kemi kundërshtuar,” tha Putin në Kinë.
Kremlini thotë se nuk komenton përparimin e asaj që e quan operacionin e tij special ushtarak në Ukrainë, por ka thënë se Moska është e hapur ndaj idesë së bisedimeve bazuar në “realitetet e reja në terren”.
Në përgjigje të pyetjeve për këtë shkrim, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA tha se çdo nismë për paqen duhet të respektojë “integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht” dhe e përshkroi Rusinë si pengesën e vetme për paqen në Ukrainë.
“Kremlini ende nuk ka treguar ndonjë interes domethënës për t’i dhënë fund luftës së tij, krejt e kundërta ka ndodhur,” tha zëdhënësi.
Në të kaluarën, Kievi e ka hedhur poshtë gatishmërinë e supozuar të Rusisë për të biseduar si një përpjekje për të hedhur fajin mbi të për luftën.
Kievi thotë se Putini, ekipi i të cilit në mënyrë të përsëritur mohoi se po planifikonte një luftë përpara se të pushtonte Ukrainën në vitin 2022, nuk mund t’i besohet se mund të respektojë ndonjë marrëveshje.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë thënë gjithashtu se kanë frikë se pala tjetër do të përdorë çdo armëpushim për t’u riarmatosur.
Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë po financojnë një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh nga SHBA dhe ndihmë shtesë ushtarake evropiane për të ndryshuar atë që Zelensky e përshkroi për Reuters këtë javë si “një nga çastet më të vështira” të luftës në shkallë të gjerë.
Përveç mungesës së municioneve pas vonesave të SHBA-së në miratimin e paketës, Ukraina ka pranuar se po përpiqet të rekrutojë mjaft trupa dhe muajin e kaluar uli moshën për burrat që mund të thirren nën armë në 25 vjeç nga 27 që ishte.
Territori
Këmbëngulja e Putinit për të “ngrirë” çdo fitim në fushën e betejës në një marrëveshje është e panegociueshme, sugjerojnë të gjitha burimet.
Megjithatë, Putini do ishte i gatshëm të zgjidhte atë territory që ka tani dhe të ngrijë konfliktin në vijat e tanishme të frontit, thanë katër nga burimet.
“Putini do të thotë se ne fituam, se NATO-ja na sulmoi dhe ne mbajtëm sovranitetin tonë, se ne kemi një korridor tokësor për në Krime, gjë që është e vërtetë”, tha njëri prej tyre.
Ngrirja e luftës sipas linjave të tanishme do e linte Rusinë në zotërim të pjesëve të konsiderueshme të katër rajoneve të Ukrainës që ajo i përfshiu zyrtarisht në shtator 2022, por pa kontroll të plotë të asnjërit prej tyre.
Një marrëveshje e tillë nuk do përmbushte synimet që Moska i vendosi vetes në atë kohë, kur tha se katër rajonet e Ukrainës – Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson – tani i përkisnin asaj në tërësi.
Peskov tha se nuk mund të bëhet fjalë për kthimin e katër rajoneve që tani ishin pjesë e përhershme e Rusisë sipas kushtetutës së saj.
Një faktor tjetër që luan në pikëpamjen e shefit të Kremlinit se lufta duhet të përfundojë është se sa më gjatë të zvarritet, aq më shumë veteranë të ashpërsuar nga beteja kthehen në Rusi, të pakënaqur me perspektivat e punës dhe të ardhurave të pasluftës, duke krijuar potencialisht tensione në shoqëri, tha një nga burimet, i cili ka punuar me Putinin.
“Rusia do shtyjë më tej”
Në shkurt, tre burime ruse i thanë Reuters se Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë një sugjerim të mëparshëm të Putinit për një armëpushim për të ngrirë luftën. Në mungesë të një armëpushimi, Putini dëshiron të marrë sa më shumë territor që të jetë e mundur për të rritur presionin ndaj Ukrainës, ndërkohë që kërkon të shfrytëzojë mundësitë e papritura për të marrë më shumë, thanë tre nga burimet.
Forcat ruse kontrollojnë rreth 18% të Ukrainës dhe këtë muaj janë futur në rajonin verilindor të Kharkiv.
Putini po mbështet në popullsinë e madhe të Rusisë në krahasim me Ukrainën për të mbajtur fuqi punëtore superiore edhe pa mobilizim, të mbështetur nga pako jashtëzakonisht bujare për ata që regjistrohen.
“Rusia do shtyjë më tej”, tha burimi që ka punuar me Putinin.
Putini do pushtojë ngadalë territoret derisa Zelensky të dalë me një propozim për të ndaluar, tha personi, duke thënë se udhëheqësi rus u kishte shprehur ndihmësve se Perëndimi nuk do siguronte armë të mjaftueshme, duke dëmtuar moralin e Ukrainës.
Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë kanë thënë se do qëndrojnë pranë Ukrainës derisa të garantohet sovraniteti i saj. Vendet dhe aleatët e NATO-s thonë se po përpiqen të përshpejtojnë dërgesat e armëve.
“Rusia mund t’i japë fund luftës në çdo kohë duke tërhequr forcat e saj nga Ukraina, në vend që të vijojë të kryejë sulme brutale kundër qyteteve, porteve dhe njerëzve të Ukrainës çdo ditë,” tha Departamenti i Shtetit në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me furnizimet me armë.
Të pesë burimet thanë se Putin u kishte thënë këshilltarëve se nuk kishte plane në territorin e NATO-s, duke pasqyruar komentet e tij publike për këtë çështje. Dy nga burimet cituan shqetësimet ruse në lidhje me rrezikun në rritje të përshkallëzimit me Perëndimin, duke përfshirë përshkallëzimin bërthamor, lidhur me rrugën pa krye në Ukrainë.
Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin përshtatur qëndrimin e tyre bërthamor dhe as nuk kishin parë ndonjë shenjë se Rusia po përgatitej të përdorte një armë bërthamore.
“Ne vijojmë të mbikëqyrim mjedisin strategjik dhe mbetemi gati”, tha zëdhënësi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani