Vendosni fjalën kyçe....

Si lulëzuan kartelet e drogës në Meksikë nën Lopez Obrador


Kur një grup të panjohurish u shfaqën të paftuar në një festë Krishtlindjesh në një oborr të epokës koloniale bukolike në Salvatierra, Meksikë qendrore, vitin e kaluar, të ftuarit e mbledhur kërkuan që të largoheshin.

Menjëherë pas kësaj, ndërsa të rinjtë që frekuentonin festën kërcenin me muzikë live, vizitorët e paftuar u kthyen me njerëz të armatosur dhe me urdhrin: “Vritini të gjithë”.

Sipas hetuesve, autorët e masakrës ishin të armatosur me armë automatike dhe qëlluan me 195 plumba të argëtuarit teksa ata përpiqeshin të iknin. 11 trupa të pajetë u nxorën nga oborri i përgjakur dhe 14 persona u plagosën.

Edhe në një vend të lodhur nga dhuna  e skajshme, masakrimi i të rinjve të paarmatosur që festonin në shtetin Guanajuato kishte fuqinë tronditëse. Pavarësisht zemërimit kombëtar, u deshën dy muaj që autoritetet të arrestonin dikë. Kur e bënë këtë, ata arrestuan dy persona të akuzuar për të shtënat, por jo ata që urdhëruan vrasjen.

Krimi i organizuar dhe dhuna nuk janë të reja në Meksikë. Karteli i parë i kokainës në vend u formua në fillim të viteve 1980. Një çerek shekulli më vonë, presidenti konservator Felipe Calderón nisi një “luftë të gjithanshme kundër drogës”, duke e zhytur vendin në një gjakderdhje.

Por problemi i krimit të organizuar në Meksikë është përkeqësuar në mënyrë dramatike gjatë pesë viteve e gjysmë të presidencës së majtistit populist Andrés Manuel López Obrador, thonë ekspertët e sigurisë, dhe është bërë aq serioz sa kërcënon të ardhmen e vendit. Sondazhet tregojnë se siguria është shqetësimi kryesor i votuesve përpara zgjedhjeve presidenciale të 2 qershorit.

Për më shumë se një dekadë, grupet mbizotëruese të drogës janë copëzuar, duke prodhuar një mori bandash më të vogla të ndarë që luftojnë në terren. Sot, dy kartelet më të mëdha dhe më të fuqishme, karteli Sinaloa dhe karteli i Gjeneratës së Re Jalisco (CJNG), po përplasen me rivalë më të vegjël si Viagras, Squirrels dhe Scorpions.

Shumë nga kartelet janë zgjeruar në biznese të reja fitimprurëse. Në një raport të vitit 2024, Administrata e SHBA për Zbatimin e Drogës (DEA) i quajti kartelet Sinaloa dhe Jalisco “organizata kriminale ndërkombëtare” sepse ato janë “të përfshira në trafikun e armëve, pastrimin e parave, kontrabandën e emigrantëve, trafikun e seksit, ryshfetin, zhvatjen dhe një sërë krimesh të tjera”. Kartelet kontrollojnë më shumë territor se kurrë më parë, rreth një të tretën e vendit sipas një vlerësimi nga ushtria amerikane.

“Ka pasur një përkeqësim eksponencial,” thotë Manuel Clouthier, një ish-deputet dhe biznesmen në shtetin veriperëndimor të Sinaloas, i cili është shtëpia e kartelit me të njëjtin emër të drogës.

“Meksika po bëhet një shtet i dështuar”.

Ndërsa fuqia ekonomike e karteleve është rritur, po kështu është rritur shtrirja e tyre ndërkombëtare. Dy kartelet kryesore të Meksikës tani drejtojnë një rrjet veprimtarish të paligjshme që shtrihen në të gjithë Amerikën e Jugut që po sfidon qeveritë dhe po alarmon qytetarët. Betejat midis degëve lokale të CJNG dhe kartelit Sinaloa e kanë kthyer Ekuadorin e mëparshëm paqësor në një nga vendet më të dhunshme në botë.

Kartelet kanë burime kimikatesh të nevojshme për të prodhuar droga sintetike si fentanil nga Kina dhe India dhe kanë lidhje të forta me mafien evropiane si Ndrangheta italiane, thonë hetuesit. Anne Milgram, shefe e DEA-s, i tha një komiteti të Senatit të SHBA-së në shkurt të vitit të kaluar se “karteli Jalisco ka ndikim përmes bashkëpunëtorëve, lehtësuesve dhe ndërmjetësve në çdo kontinent përveç Antarktidës”.

Në SHBA, siguria e përkeqësuar e Meksikës dhe lulëzimi i tregtisë së drogës janë bërë një çështje zgjedhore, me republikanët që bëjnë thirrje për një linjë më të ashpër. Disa në Partinë Republikane kanë shkuar aq larg sa kanë bërë thirrje që forcat ushtarake amerikane të kapin krerët e kartelit në operacionet komando njësoj siç ndodhi me Osama bin Laden.

Një procesion funerali për një nga të rinjtë e vrarë në një festë Krishtlindjesh në Salvatierra, Meksika qendrore, vitin e kaluar. U deshën dy muaj që autoritetet të bënin një arrestim të vetëm

Ndërsa statistikat zyrtare mbi krimet si vrasja vihen në pikëpyetje nga studiues të pavarur, ekspertët pajtohen se fuqia e krimit të organizuar tani paraqet një rrezik serioz jo vetëm për popullatën, por edhe për biznesin dhe ekonominë. Është një nga arsyet, thonë ekspertët, pse vendi po dështon të përfitojë plotësisht nga potenciali i tij për të tërhequr prodhimin larg Kinës.

Një drejtues biznesi meksikan, duke folur jashtë kamerave për shkak të ndjeshmërisë së temës, thotë se siguria është përkeqësuar në mënyrë dramatike nën López Obrador dhe se qeveria e ka zvogëluar problemin.

“Askush nuk po flet për trafik droge apo vjedhje karburanti,” thotë ai.

Presidenti ka pikturuar një pamje të një administrate që bën gjithçka mundet për të trajtuar problemin, ndërsa fajëson paraardhësit e tij për krijimin e tij. Ai deri tani ka arritur të shmangë të paguajë një çmim serioz politik për përkeqësimin e kriminalitetit. Vlerësimi i miratimit të tij mbetet në 65 për qind, sipas grumbulluesit të sondazheve Oraculus dhe pak ka ndryshuar në tre vitet e fundit.

Anëtarët e kartelit Sinaloa përgatisin kapsula metamfetamine në Culiacán, në veriperëndim të Meksikës. Karteli është një nga më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit në vend

“Qeveria është përpjekur mbi të gjitha të kontrollojë narrativën,” thotë Falko Ernst, analist i lartë meksikan në Crisis Group.

“Politika e sigurisë është zbutur në një ushtrim të marrëdhënieve publike për qëllime elektorale.”

Në të vërtetë, shton ai, politikat e López Obrador i kanë lejuar kriminelët të vijojnë “të marrin një bazë shumë më të fortë, shumë më të drejtpërdrejtë dhe shumë më agresive brenda institucioneve”.

Zyrtarisht, siguria është një përparësi kryesore për López Obrador. Çdo ditë jave në orën 6 të mëngjesit, presidenti kryeson një kabinet sigurie me shefat e ushtrisë dhe policisë dhe ministrat kryesorë. Dy herë në muaj ekipi i tij i sigurisë paraqet një raport “zero mosndëshkim” me një stuhi statistikash që mbulojnë gjithçka, nga arrestimet deri te numri i saktë i forcave të sigurisë dhe automjeteve të vendosura.

“Askund në botë nuk ka një kabinet sigurie ku presidenti kryeson detyrat e përditshme,” tha Rosa Icela Rodríguez Velázquez, ministre e Sigurisë e Meksikës, në konferencën e sigurisë më 30 prill. Që nga marrja e detyrës, shtoi ajo, presidenti kishte kryesuar mbi 1,353 mbledhje të këshillit të sigurisë dhe nuk kishte humbur asnjë të vetme.

Në fillim të administratës së tij, López Obrador përcaktoi një strategji të re të cilën ai e quajti “përqafime jo plumba”. Ideja ishte për të trajtuar shkaqet rrënjësore të krimit, për të zëvendësuar forcën e policisë federale me një Gardë të re Kombëtare të drejtuar nga ushtria dhe për të ulur gjakderdhjen duke shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë me kartelet. Në vend të kësaj, ai u bëri thirrje anëtarëve të kartelit që të “mendojnë për nënat e tyre”.

Lopez Obrador shtrëngon duart me nënën e bosit të burgosur të kartelit Sinaloa, Joaquin ‘El Chapo’ Guzman në vitin 2020. Ai e mbrojti aktin si një gjest humanitar ndaj një gruaje të moshuar

López Obrador synonte qasjen e tij më paqësore si një alternativë ndaj “luftës” së Calderón-it 2006-2012 dhe strategjisë së paraardhësit të tij Enrique Pena Nieto, e cila kishte dështuar të përmbajë numrin në rritje të vrasjeve.

Por presidenti tërhoqi kritika të ashpra për përshëndetjen personalisht të nënës së shefit të burgosur të kartelit Sinaloa, Joaquín “El Chapo” Guzmán në vitin 2020 – diçka që ai tha se ishte një gjest humanitar ndaj një gruaje në të nëntëdhjetat e saj.

Eduardo Guerrero, një ekspert sigurie në Lantia Consultores, thotë se politika e López Obrador për “përqafimet dhe jo plumbat” kishte efektin e padëshiruar të zgjerimit të pranisë gjeografike të krimit të organizuar në zona të reja, pikërisht sepse ushtria nuk po përballej me kriminelët”.

Grupet kriminale po ndërhyjnë edhe më paturpësisht në zgjedhje. Fushata e këtij viti, e cila përfshin gara për kongrese federale dhe shtetërore, guvernatorë dhe kryebashkiakë, ka qenë më vdekjeprurësja ndonjëherë. Deri tani 36 kandidatë dhe 45 persona të tjerë të lidhur me zgjedhjet janë vrarë, 15 të tjerë janë rrëmbyer dhe dhjetëra të tjerë janë kërcënuar, sipas grupit të ekspertëve Laboratorio Electoral.

Një tjetër fushë beteje kyçe janë statistikat zyrtare. Mandati gjashtëvjeçar i López Obrador do jetë më i dhunshmi i Meksikës ndonjëherë për sa i përket vrasjeve, me më shumë se 175,000 të vrarë deri tani. Por presidenti ka kapur shifrat që tregojnë një ulje të vogël të vrasjeve në tre vitet e fundit nga një nivel rekord në vitin 2020.

Vrasjet në Meksikë duken në rënie, por numri i “të zhdukurve” po rritet

Ekspertët theksojnë se shifrat e vrasjeve nuk përfshijnë numrin rekord të personave të raportuar si të zhdukur, pothuajse 115,000 deri në vitin e kaluar, 43,000 prej të cilëve u zhdukën gjatë presidencës së López Obrador. Ata gjithashtu vënë në dukje se përqindja e “krimeve kundër jetës” të raportuara si vrasje nga pakujdesia ose “krime të tjera” është rritur me rënien e vrasjeve në statistika, duke sugjeruar që vrasjet po riklasifikohen.

Në fillim të presidencës së López Obrador në 2018, 57 për qind e vdekjeve të dhunshme të Meksikës u shënuan si vrasje. Deri në katër muajt e parë të 2023, vrasjet kishin rënë në 46 për qind të totalit, sipas analizës së të dhënave nga Nexos.

“Shifrat nuk janë plotësisht të besueshme. Askush nuk i auditon shifrat,” thotë Edna Jaime, dekane e Shkollës së Shkencave Sociale në Tecnológico de Monterrey.

“Administratat e kaluara u përpoqën të përmirësonin cilësinë e informacionit.  E gjitha kjo u braktis në këtë administratë.”

Policia dhe mjekët që kryejnë autopsitë janë ndonjëherë nën presion, thonë kritikët, për të shmangur raportimin e shkakut të vdekjes në certifikata si vrasje.

“Nëse nuk është vrasje, ka më pak dokumentee kokëçarje,” thotë Ernst i Grupit të Krizave.

“Në thelb, janë 10 vrima plumbash ndërsa në dokumente shënohet “infarkt “.

Në të njëjtën kohë, policia bashkiake në shumë pjesë të Meksikës është në listën e pagave ose është e detyruar të punojë për kartele, thonë ekspertët e sigurisë.

Brenda një shtëpie modeste të marrë me qira përgjatë një rruge medhe në periferi të qytetit veriperëndimor të Culiacán, Reynalda Pulido ka një mur me postera të personave të zhdukur, duke përfshirë një të Netos, djalin të saj 16-vjeçar.

Neto u rrëmbye nga një patrullë policie në dhjetor 2020, thotë ajo, ndërsa ai qëndronte në radhë për tortillat. Familja e saj më vonë zbuloi se një djalë në të njëjtën moshë ishte dërguar në një qendër paraburgimi aty pranë, por policia kundërshtoi ta linte atë ta takonte. Të nesërmen, djali u zhduk.

Demonstruesit në Mexico City mbajnë fotografi të studentëve të zhdukur. Gati 43,000 njerëz janë zhdukur gjatë presidencës së López Obrador

Pulido ka bërë fushatë për të gjetur Neton dhe qindra njerëz të tjerë që janë zhdukur në Culiacán, një nga bastionet e kartelit të drogës Sinaloa. Gjatë gjuetisë së trupave, ajo është kërcënuar dhjetëra herë, thotë ajo, duke përfshirë edhe policinë.

Një nga nipat e saj, Julio, u vra një vit pas zhdukjes së Netos, ndërsa një tjetër, César, u zhduk një vit pas kësaj.

“Për fat të keq unë i shoh ato si dëme kolaterale,” thotë Pulido.

Gjatë kërkimit të saj ajo ka gjetur të gjallë 28 trupa dhe 22 viktima të rrëmbimit, disa të rrahur keq.

“Në çdo trup që gjej, shoh duart e djalit tim,” thotë ajo, me zërin e saj të thyer.

“Çdo ditë ngrihem dhe lutem: Zot më jep mençuri, më jep urtësi për të ndihmuar këto familje. Sepse çdo ditë dikush vjen të na kërkojë ndihmë.”

Qershorin e kaluar, presidenti vendosi se nevojitej një regjistrim i ri i njerëzve të zhdukur, sepse numrat ishin të vjetëruar. Dy muaj më vonë, Karla Quintana, kryetarja e komisionit shtetëror për personat e zhdukur dha dorëheqjen duke thënë se qeveria i kishte bërë presion komisionit për të hedhur poshtë shifrat.

“Qëllimi i tyre është shumë i qartë dhe është për të ardhur keq”, tha ajo në atë kohë.

“Bëhet për të zvogëluar numrin e personave të zhdukur.”

Dy muaj më parë, qeveria njoftoi një numër të ri zyrtar më të ulët prej 99,729 të zhdukurish, duke thënë se mijëra ishin gjetur.

Pasardhësja e zgjedhur e López Obrador, kandidatja e partisë në pushtet Morena, Claudia Sheinbaum, përjetoi problemet e sigurisë së Meksikës muajin e kaluar kur një grup personash me kapuç ndaluan kolonën e saj në komunën e Motozintla në shtetin jugor Chiapas.

Burrat, të cilët ishin të paarmatosur, kërkuan që ajo të mos harronte zonën kur të vinte në pushtet. Kartelet rivale të drogës po luftojnë për terren në Chiapas, por López Obrador e hodhi poshtë ngjarjen si “të inskenuar” nga media kritike ndaj qeverisë dhe Sheinbaum ka aluduar për diçka të ngjashme, duke thënë se takimi ishte “i çuditshëm”.

Nëse do zgjidhej, Sheinbaum do vijonte gjerësisht strategjinë e López Obrador për të shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë me kartelet, duke përfshirë elementë të strategjisë që ajo përdori si kryebashkiake e Mexico City, duke drejtuar programe për të rinjtë për t’i mbajtur ata jashtë rrugës dhe duke rritur aftësinë hetuese. Ajo do vijojë politikën e López Obrador për t’u mbështetur në një Gardë Kombëtare të drejtuar nga ushtria.

“Çdo vit ne do të pakësojmë krimin,” thotë ajo.

“Ne nuk mund të japim përqindje gjatë gjashtë viteve të ardhshme por ne jemi të sigurt se kjo strategji do funksionojë.”

Anëtarë të Gardës Kombëtare në shtetin Guerrero. Njësia e drejtuar nga ushtria u krijua për të zëvendësuar forcën e policisë federale dhe për të minimizuar konfrontimet e dhunshme me kartelet

Shumë analistë nuk janë të bindur, duke theksuar se formimi akademik dhe edukimi i Sheinbaum në një periferi të klasës së mesme të kryeqytetit Mexoco, nuk e kanë përgatitur atë të përballet me luftërat brutale të karteleve.

“Ajo ende duhet të provojë se e kupton se sa e brishtë është gjendja,” thotë Salvador Camarena, një editorialist në gazetën El Financiero.

“Udhëtimet e saj në vend kanë qenë brenda një flluske sigurie. Unë nuk mendoj se ata e kanë lejuar atë të hyjë në kompleksitetin e asaj që përballen meksikanët.”

Sheinbaum hedh poshtë kritikat, duke i thënë Financial Times se luftërat e kaluara kundër drogës të zhvilluara në Meksikë “nënkuptojnë një licencë për forcat e armatosura dhe forcat e tjera të rendit dhe ligjit në vendin tonë për të vrarë, dhe ne nuk besojmë në një leje për të vrarë, ne besojmë në drejtësi”.

Xóchitl Gálvez, kandidati kryesor i opozitës në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, ka cituar vlerësimin e ushtrisë amerikane se rreth një e treta e territorit të Meksikës është nën kontrollin e krimit të organizuar dhe është zotuar të përballet ballë për ballë me kartelet.

“Ka zona të vendit ku vetëm kriminelët mund të hyjnë dhe kjo duhet të ndalet,” u tha ajo gazetarëve.

Dy kandidatët u përplasën për sigurinë në një debat më 19 maj. Sheinbaum kritikoi luftën kundër drogës si “një nga vendimet më të tmerrshme” në historinë e fundit meksikane dhe mbrojti të dhënat e sigurisë të mentorit të saj, ndërsa Gálvez tha se strategjia e qeverisë ishte ” t’ia japë vendin krimit të organizuar”.

Drejtuesit e biznesit janë gjithashtu gjithnjë e më të shqetësuar për krimin e organizuar dhe kostot shtesë që ai imponon. Më shumë se gjysma e punëdhënësve të anketuar nga shoqata Coparmex vitin e kaluar thanë se kishin qenë viktima të një krimi. Midis 2021 dhe 2023, grabitja e automjeteve të ngarkesave të siguruara është rritur 46 për qind, sipas Amis, shoqata e siguruesve meksikan.

Për shumë kompani, siguria shtesë e nevojshme është thjesht një kosto shtesë e të bërit biznes. Por për disa grupe të huaja që konsiderojnë investimet, është një pengesë shumë e madhe.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Meksikë zbuloi në një studim të fundit se 13 për qind e kompanive anëtare të saj shpenzonin më shumë se 8 për qind të të gjithë buxhetit të tyre për sigurinë.

Drejtuesit e lartë nuk janë të gatshëm të flasin për përkeqësim të sigurisë në publik, nga frika e një reagimi të ashpër nga qeveria. Por një bankier i lartë, i cili foli në kushte anonimiteti, thotë se është i shqetësuar se gjendja po bëhej “e paqëndrueshme”.

“Shumë njerëz mendojnë, ‘Thjesht lërini të veprojnë, është pjesë e ekonomisë”, thotë ai.

“Por unë shoh shumë kompani që kanë filluar të mendojnë dy herë para se të investojnë këtu. Ka rreziqe shumë, shumë të mëdha për sigurinë.”

Gjendja në disa zona është aq e keqe sa qytetarët i kanë marrë gjërat në duart e tyre.

Në janar, një video e shpërndarë në mediat sociale tregoi një grup grash të maskuara nga grupi etnik Ëixárika në shtetin Jalisco duke i bërë thirrje drejtpërdrejt një prej bosëve më të fuqishëm të kartelit të vendit, udhëheqësit të CJNG “El Mencho”, për mbrojtje, në vend që të shkojnë te policia.

Në shtetin Guerrero të bregut të Paqësorit të shkatërruar nga përplasjet, katër peshkopë katolikë u ulën në bisedë me krerët e kartelit të drogës në shkurt pa praninë e qeverisë për të negociuar një copëtim të territorit me synimin për të pakësuar dhunën. Salvador Rangel, një peshkop emeritus, tha për mediat lokale se kisha veproi sepse “qeveria e shtetit nuk dëshiron të gjejë një zgjidhje”.

Duke pasur parasysh se sa e keqe është bërë gjendja, shumë pyesin nëse kreu i ardhshëm i Meksikës do jetë në gjendje të bëjë shumë ndryshim.

Presidenti i ardhshëm “do duhet të fillojë nga nën zero”, thotë Guillermo Valdés, ish-kreu i agjencisë së inteligjencës Cisen nën Calderón.

“Kriminelët janë më të fuqishëm, ka më shumë dhunë, ka më shumë kontroll politik të territorit dhe të autoriteteve. Detyra do jetë e jashtëzakonshme.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani