Rithemelimi akuzon qeverinë Rama lidhur me arsimin dhe kushtet si trajtohen mësuesit.
Në një deklaratë për mediat, Lili Sula shefja e departamentit të arsimit të Rithemelimit akuzon qeverinë se ka vendosur të mos u njohë mësuesve më shumë se 20 vite punë.
Ajo tha se mësuesve po u mohohet e drejta themelore në këtë profesion.
Deklarata e Plotë:
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nr. 8, datë 03.05.2024 ‘Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, është shprehje e flagrante e politizimit të sistemit të punësimit; e centralizimit të procedurave të punësimit; e mungesës së përgjegjësisë dhe respektit për punën dhe karrierën e mësuesve.
Sipas këtij vendimi, mësuesit i njihen vetëm 20 vite punë, pra deri në moshën 42-43 vjeç dhe pas këtyre viteve mësuesi nuk merr më asnjë vlerësim kur garon për ushtrimin e profesionit– duke u mohohuar kështu përvoja e punës- tregues vendimtar në punësime dhe vlerësime profesionale ndërkombëtare, duke u vendosur në pozita diskriminuese ndaj kolegëve të tyre më të rinj që kanë më pak vite në profesion.
Kreu V, pika 14 godet rëndë të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit edhe pse e ka fituar një herë. ‘Mësuesit që rezultojnë pa ngarkesë mësimore dhe mbeten të pasistemuar si pasojë e mungesës së vendeve të lira u ndërpritet marrëdhënia e punës me të drejtën e konkurrimit sipas këtij udhëzimi’.
Udhëzimi, nga njëra anë përligj dështimin e Rilindjes në arsimin parauniversitar, mbylljen e klasave dhe shkollave për shkak të shpopullimit dhe nga ana tjetër, shantazhon dhe mban në presion mësuesit sepse atyre u lidhen kontratat të përkohshme pune dhe janë të detyruar të konkurojnë çdo vit për shkak të rënies së thellë të numrit të nxënësve.
Është antiligjore që të drejtën e ushtrimit të profesionit të fituar tashmë– të mos ta gëzosh dot për shkak të dështimit të sistemit, për shkak të dështimt të qeverisë dhe të detyrohesh të konkurosh përsëri.
Qeveria e Edi Ramës, menjëherë pas ardhjes në pushtet, në kundërshtim me interesin publik, bëri një seri ndryshimesh në aktet ligjore dhe nënligjore duke cenuar profesionin e mësuesit dhe vënien e marrëdhënieve të punës së tyre nën trysninë partiake të Rilindjes.
Krahas ndryshimeve në ligjin nr. 69/2012 ‘ Për sistemin arsimor parauniversitar’, Rilindja, gjatë periudhës 10 vjeçare të saj në pushtet, 2014-2024, ka ndryshuar 5 herë udhëzimin ‘Për procedurat e pranimit, pezullimit dhe të largimit nga puna të mësuesit’.