Biznesmeni kinez në mërgim, Miles Guo, mashtroi ndjekësit e tij dukë përfituar më shumë se 1 miliard dollarë pasi autoritetet kineze konfiskuan pronën e tij, tha një prokuror federal të premten ndërsa gjyqi për mashtrimin e Guo filloi në Nju Jork.
Ndihmësprokurori i SHBA-së Micah Fergenson u tha jurisë se Guo, i cili ishte një zhvillues i pasurive të paluajtshme në Kinë dhe u zhvendos në Nju Jork, grumbulloi ndjekës në internet përmes videove që kritikonin qeverinë kineze.
Pasi autoritetet në Kinë dhe Hong Kong konfiskuan pasuritë e tij si kundërpërgjigje, Guo filloi të bënte investime mashtruese për ndjekësit e tij, tha Fergenson.
“Miles Guo bëri një mashtrim të thjeshtë në një shkallë të madhe. Ai bëri një jetë luksoze duke përdorur paratë që ai vodhi nga njerëzit që i mashtronte dhe manipulonte,” tha Fergenson.
Juria prej 12 anëtarësh në Manhattan do peshojë pretendimet se Guo përdori praninë e tij në internet dhe qindra mijëra ndjekës për të përfituar fonde që ai shpenzoi për veten dhe familjen e tij.
Guo, i cili njihet me disa emra, përfshirë Guo Wengui, Miles Kwok dhe Ho Wan Kwok, është burgosur në Brooklyn që nga arrestimi i tij në mars 2023.
Avokatja e Guo, Sabrina Shroff tha në deklaratën e saj hapëse se bizneset e tij ishin të ligjshme dhe se qëllimi i tij ishte të ndërtonte një lëvizje kundër Partisë Komuniste Kineze.
“Nuk ishte bast, nuk ishte skemë. Nuk ishte mashtrim. Nuk ishte asnjëra nga këto gjëra,” tha ajo.
Shumë nga veprimet e Guo, të tilla si zotërimi i telefonave të shumtë dhe llogarive bankare, ishin mbrojtje të arsyeshme pasi qeveria kineze nuk u ndal për të penguar punën e tij në SHBA, tha Shroff.
Avokati mbrojtës u kërkoi gjithashtu anëtarëve të jurisë që të mos e gjykojnë Guo për mënyrën sesi ai shpenzoi pasurinë e madhe që kishte grumbulluar përmes pasurive të paluajtshme.
Duke filluar nga viti 2018, prokurorët thonë se Guo promovoi mundësi financiare në videot në internet në gjuhën kineze, duke ofruar investime në kompaninë e tij mediatike, një sipërmarrje të supozuar të kriptomonedhave dhe një program kredie, si dhe anëtarësim në atë që u faturua si një klub ekskluziv që ofron shërbime hoteliere.
Prokurorët thanë se Guo vodhi nga fondet për të blerë një rezidencë në New Jersey, një jaht, disa makina luksoze dhe sende të tjera luksi, duke përfshirë dy dyshekë 36,000 dollarë.
Guo përballet me 12 akuza për mashtrim, shantazh, konspiracion dhe pastrim parash. Gjyqi para gjykatëses së qarkut të SHBA-së Analisa Torres mund të zgjasë deri në korrik.
Kritiku i Pekinit ka qenë bashkëpunëtor biznesi i ish-këshilltarit të dikurshëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Bannon.
Në jahtin 37 milionë dollarësh të Guo, “Lady May”, Bannon u arrestua në vitin 2020 në një rast të veçantë mashtrimi. Ai rast përfundoi pasi Trump e fali Bannon në orët e fundit të presidencës së tij. Bannon ishte deklaruar më herët i pafajshëm.
Guo u largua nga Kina në vitin 2014 gjatë një goditjeje kundër korrupsionit nën presidentin Xi Jinping. Zyrtarët atje akuzuan Guo për ryshfet, pastrim parash dhe krime të tjera, të cilat ai i ka mohuar.
Pasi u transferua në Shtetet e Bashkuara, Guo bleu një shtëpi në ndërtesën luksoze Sherry-Netherland në Fifth Avenue të Manhattan-it dhe tërhoqi tifozë të zjarrtë përmes kritikave të tij ndaj qeverisë së Kinës, duke akuzuar krerët për korrupsion.
Me kërkesë të Pekinit, Interpol në prill 2017 lëshoi një “njoftim të kuq” për arrestimin e Guo.
Shroff tha në gjykatë të premten se njoftimi ishte një përpjekje për të heshtur Guo pasi ai dha një intervistë me Zërin e Amerikës të mbështetur nga qeveria amerikane.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani