Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar ashpër lidhur me taksën e re për profesionet e lira.
Xhixho është shprehur se kjo taksë stimulon largimin e trurit, dhe dëmton në mënyrë të veçantë profesionistë shumë të kërkuar, si mjekët, avokatët dhe mbi 262 ekspertë të fushave të ndryshme.
Që prej hyrjes në fuqi të kësaj takse, Qendra Kombëtare e Biznesit ka marrë 3620 kërkesa për mbyllje biznesi. Rreth 35% e bizneseve kanë mbyllur dyert zyrtarish, shprehet Xhixho.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë, prej 1 Janarit, taksa e re mbi profesionet e lira, u është ngarkuar si barrë mbi 29 mijë bizneseve në vend. Kjo taksë stimulon largimin e trurit, dhe dëmton në mënyrë të veçantë profesionistë shumë të kërkuar, si mjekët, avokatët dhe mbi 262 ekspertë të fushave të ndryshme.
Që prej hyrjes në fuqi të kësaj takse, Qendra Kombëtare e Biznesit ka marrë 3620 kërkesa për mbyllje biznesi. Rreth 35% e bizneseve kanë mbyllur dyert zyrtarisht.
Në kushtet e rënies së fuqisisë blerëse, për shkak të krizës së çmimeve, të gjetur përballë një takse të re, të miratuar me forcën e kartonit, pa konsultim me ta, pavarësisht konsultimeve, profesionistët e lirë, shohin si të vetmen zgjidhje, mbylljen e biznesit dhe largimin jashtë vendit.
Kjo taksë është mekanizmi i radhës, që i shërben shpopullimit masiv të vendit, ndërsa me mijëra biznese mbyllen, ato që mbeten në treg, do të detyrohen që të rrisin çmimet.
Duke e zhvendosur koston e shtuar, tek qytetarët.
Këta të fundit të cilët do të përballojnë me vështirësi ekstreme dyfishimin e kostove të jetesës, do të detyrohen të paguajnë më shumë, për shërbimet që ofrojnë mjekët, juristët, dentistët, financierët, arkitektët, IT. etj.
Të tjerë profesionistë do ti drejtohen informalitetit, në përpjekje për t’i shpëtuar gjobës së re, që u ka vendosur qeveria. Në këtë mënyrë, informaliteti i ekonomisë shqiptare, I vlerësuar mbi 33% nga institucionet ndërkombëtare, do të vijojë të rritet.
Shqipëria ka performancën më të ulët në mbledhjen e të ardhurave publike, krahasuar me vendet e rajonit. Shqipëria mbledh 29.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja e rajonit, është 38.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por, kjo performancë nuk mund të përmirësohet, duke shtrydhur biznesin e vogël, ndërsa favorizohen haptazi, klientët e qeverisë. Kjo taksë që godet direkt shtresën e mesme, dëmton rëndë shoqërinë shqiptare.
Mijëra familje që humbasin burimin e të ardhurave, ndërsa numri I ofruesve të një sër shërbimesh, të domosdoshme do të tkurret. Janë 29 mijë biznese të profesionistëve të lirë, që preken nga taksimi në masën 15-23%.
Rreth 3 miliardë lekë më shumë të ardhura do të shkojnë në arkën e qeverisë nga kjo taksë. Kjo qeveri, që krijon lehtësira vetëm për klientët e vet, dënon me faliment bizneset e vogla, që paguajnë rregullisht detyrimet.
Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë, sa herë që qeverisë nuk I dalin llogaritë, dhe I duhen para, për të mbyllur aferat e saj. Këto para do të shkojnë në xhepat e klientëve të qeverisë, për konçensione, dhe inceneratorë që nuk kanë punuar një ditë të vetme.
Partia e Lirisë, është e bindur se një sistem taksimi I pabarabartë, I pandershëm në kushtet e krizës, do të dëmtojë rëndë jo vetëm biznesin e vogël, por dhe ekonomitë familjare të vendit.
Ndaj,Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë së pari interesat e profesionistëve të lirë, duke anulluar këtë taksë mbi dijen, që qeveria e ka gjetur si mekanizëm, për të mbushur gropat e krijuara nga korrupsioni.