Vendosni fjalën kyçe....

12 të plagosur pas turbulencave në fluturimin nga Katari në Irlandë


Dymbëdhjetë persona që udhëtonin me një fluturim të “Qatar Airways” nga Doha në Irlandë u plagosën gjatë një turbulence, tha të dielën Aeroporti i Dublinit, duke shtuar se avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe siç ishte planifikuar.

Fluturimi QR017, një “Boeing 787 Dreamliner”, u ul pak para orës 13:00, tha aeroporti.

“Pas uljes, avioni u prit nga shërbimet e urgjencës, përfshirë Policinë e Aeroportit dhe departamentin tonë të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, për shkak të 6 pasagjerëve dhe 6 anëtarëve të ekuipazhit që raportuan për lëndime pasi avioni përjetoi turbulenca ndërsa fluturonte mbi Turqi,” thuhet në deklaratë.

Media irlandez RTE, duke cituar pasagjerët që mbërritën në aeroport, tha se incidenti zgjati më pak se 20 sekonda dhe ndodhi gjatë shërbimit të ushqimit dhe pijeve.

Qatar Airëays tha në një deklaratë se një “numër i vogël” pasagjerësh dhe ekuipazhi pësuan lëndime të lehta gjatë fluturimit dhe po merrnin kujdes mjekësor.

Linja ajrore nuk komentoi drejtpërdrejt mbi turbulencat, por tha se çështja i nënshtrohet një hetimi të brendshëm.

Incidenti ndodhi pesë ditë pasi një fluturim i “Singapore Airlines” nga Londra në Singapor u detyrua të ulej në Bangkok për shkak të turbulencave të forta, të cilat vranë një britanik 73-vjeçar dhe lanë 20 të tjerë në terapi intensive.

Aksidentet ajrore të lidhura me turbulencat janë lloji më i zakonshëm, sipas një studimi të vitit 2021 nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA.

Nga viti 2009 deri në vitin 2018, agjencia amerikane zbuloi se turbulencat përbënin më shumë se një të tretën e aksidenteve të raportuara të linjave ajrore dhe shumica rezultuan në një ose më shumë lëndime serioze, por jo dëmtime të avionëve.