Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja në rrezik ekzistencial nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm – Macron


BE-ja po përballet me një numër rekord të “armiqve të jashtëm dhe të brendshëm”, të cilët përbëjnë një kërcënim ekzistencial për bllokun, tha presidenti francez Emmanuel Macron, duke titheksuar një paralajmërim që ai kishte dhënë më parë, se “Evropa jonë mund të vdesë”.

Macron i bëri komentet ndërsa fliste me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, në vizitën e tij të parë treditore shtetërore. Të dy morën pjesë në Festivalin e Demokracisë, të mbajtur në Berlin, për të festuar 75-vjetorin e kushtetutës së vendit.

“Unë mendoj se ne po përjetojmë një çast në Evropën tonë që është ekzistencial, sepse besoj vërtet se Evropa jonë mund të vdesë,” tha Macron, duke iu referuar një fjalimi kryesor që ai kishte mbajtur në prill.

Presidenti francez kërkoi votën për forcat pro-BE në zgjedhjet e ardhshme evropiane, duke paralajmëruar se blloku “kurrë nuk ka pasur kaq shumë armiq brenda dhe jashtë” sa ka tani. Armiqtë e brendshëm të supozuar janë me sa duket nacionalistët evropianë dhe me rritjen e tyre vihet në pikëpyetje demokracia, pohoi Macron.

“Ekziston një formë magjepsjeje me autoritarizmin që lind në vetë demokracitë tona që gjithashtu ushqen nacionalizmin dhe ekstremet e tjera në kontinentin tonë,” pohoi ai.

Macron pikturoi një pamje të zymtë të “nacionalistëve” që hyjnë në qeveri, duke pretenduar se ata do kishin dështuar në trajtimin e Covid-19 dhe nuk do kishin treguar “asnjë kapacitet për t’iu përgjigjur sfidave të emigracionit, çështjet e ndryshimeve klimatike, etj”.

“Ne do kishim braktisur mbështetjen ndaj Ukrainës kundër Rusisë, të cilën e mbështesin të gjithë nacionalistët në vendet tona. Dhe, për rrjedhojë, historia nuk do të kishte qenë e njëjtë,” pretendoi presidenti.