Dy ditë pas sekuestrimit të një sasie prej 7.3 kg kokaine në Portin e Durrësit, është identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe porositësi i ‘mallit’.
Në vijim të operacionit “Pakot”, si rezultat i hetimeve të thelluara u identifikua dhe u shpall në kërkim pritësi i lëndës narkotike shtetasi Fatbardh Cuni.
Sipas policisë si rezultat i hetimeve dyshohet se i shpalluri në kërkim do të priste lëndën narkotike, në Angli.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon operacioni policor i koduar “Pakot”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me autoritetet doganore të portit. Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.
Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike. Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli. Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.