Vendosni fjalën kyçe....

Komisionet Hetimore, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e opozitës për pezullim e ligjit


Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e depozituar nga opozita që kërkonte pezullimin e zbatimit të ligjit për funksionimin e Komisioneve Hetimore parlamentare.

Ndryshimet në ligj u miratuan muaj më parë nga Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama, por ato u kontestuan si anti-Kushtetuese në Gjykatë nga deputetë të opozitës.

Por Kushtetuesja vendosi që kërkesa për pezullimin e ligjit nuk plotëson kriteret e nenit 45  të ligjit në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën në kushtet kur gjykata ka pranuar kërkesën për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjet, pritet të përfundojë së shpejti. Vendimi përfundimtar pritet të merret brenda 30 ditësh.

 

Njoftim

Në datën 27.05.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 33 deputetëve të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit””.

Në lidhje me kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në seancë plenare, vlerësoi se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën, në kushtet kur Gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjes pritet të përfundojë së shpejti.

Për sa më sipër, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash,

 

VENDOSI:

-Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.