Rezervuarët bujqësorë që përdoren për ujitjen e tokave nuk kanë matje të volumeve të ujit dhe sedimenteve prej të paktën 30 vitesh.
Ky është konstatimi që ka bërë Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKMD) duke nënvizuar se ligji përcakton që këto matje të bëhen çdo 5 vjet.
“Nga shqyrtimi i raportit vërehet se në të gjithë digat e mëdha të administruara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) të cilat sipas legjislacionit ne fuqi janë objekte të rëndësisë së veçantë nuk ka të dhëna për monitorimin real dhe me instrumente të këtyre digave. Nuk janë përgatitur plane të gatishmërisë në rastet e emergjencave civile.
Nuk ka asnjë sistem alarmi të instaluar në këto diga apo në zonat urbane poshtë tyre, nuk janë përgatitur të dhëna në lidhje me monitorimin e integruar real të tyre. Megjithëse sipas legjislacionit në fuqi kërkohet matja e volumeve aktuale të ujit dhe sedimenteve në rezervuarët e krijuar prej tyre të paktën një herë në 5 vjet.
Rezulton se në këta rezervuarë nuk është kryer asnjë matje faktike e këtyre volumeve prej mese 30 vitesh” thuhet në parashtrimin e vendimit të KKMD që mban datën 29 prill.
Sipas të njëjtit raport, mungesa e këtyre matjeve bëhet më problematike jo vetëm për menaxhimin e integruar dhe kompleks të rezervave ujore të krijuar me një volum të projektuar prej mëse 110 milion m3 ujë por edhe për faktin se këto objekte janë ndërtuar mëse 40 vjet përpara dhe problemet e sedimenteve duken se janë të mëdha dhe kanë zvogëluar ndjeshëm volumin faktik të ujit në këto rezervuare.
Komiteti konstaton se në të gjithë digat e mëdha të administruara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka asnjë vlerësim të aseteve të digave dhe elementëve të tyre apo regjistër të këtyre pasurive të paluajtshme.
“Mirëmbajtja e këtyre digave ka mjaft probleme të cilat po sjellin përkeqësimin e gjendjes së tyre.
Një nga digat e mëdha që administrohet nga MBZHR, Diga e Bllacës në Dibër, është jashtë funksionit prej vitesh. Në shumicën e digave të mëdha mungojnë masat për sigurinë fizike të tyre dhe elementeve kryesore të tyre. gjitha digat e mëdha te administruara nga MBZHR nuk ka asnjë vlerësim te aseteve te Bazuar në Raportin e paraqitur na rezulton se në përgjithësi të gjitha digat e mëdha që janë nën administrimin e bordeve të MBZHR nuk monitorohen sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi” thuhet në vendim.
Në këto kushte, KKDM vendosi t’i kërkojë MBZHR si shfrytëzuese e digave të mëdha që administrohen prej saj, të marrë masat për mirëmbajtjen dhe monitorimin e digave të mëdha përmes sistemeve të monitorimit.
“Në kuadër të këtyre masave duhet të kihet parasysh instalimi i sistemeve të monitorimit të digave në kohe reale dhe online si dhe krijimi i bazës se të dhënave të monitorimit të digave dhe rezervuarëve të krijuar prej tyre” nënvizon Komiteti.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor