Kosova ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Shumica e vendeve pro vendimit, një vend ka votuar kundër ndërsa 14 të tjera kanë abstenuar, shkruan Koha. Takimi i asamblesë po mbahet në kryeqytetin bullgar Sofje.
Vendimi është mirëpritur nga presidentja Osmani e cila përmes një postimi në X shkruan se “NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet”.
“Do vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar ajo.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta apo mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare. Ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, mes të cilave edhe Serbia e Bosnje Hercegovina.