Vendosni fjalën kyçe....

Kuvend/ Bardhi: Korrupsioni s’luftohet me fjalë, s’e votojmë projekt-rezolutën


Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi nga foltorja e Kuvendit se opozita nuk do të votojë pr.rezolutën e PS-së për korrupsionin. Ai tha se edhe për Arben Ndokën Rama thoshte se është deputet, por doli që porosiste vrasje.

Mes të tjerash ai tha se korrupsioni nuk luftohet me fjalë dhe rezoluta.

“E vetmja gjë pozitive që mund të veçoj në këtë qeveri dhe nga ky kryeministër ditën e sotme, edhe pse iu deshën më shumë se 4000 ditë ta kuptonte, është pranimi prej tij se na u dashka më në fund një përpjekje e veçantë, ndryshe dhe e vendosur kundër korrupsionit të kësaj qeverie. Lufta ndaj korrupsionit të përhapur që është rrënjosur si asnjë herë më parë nën administratën e kryeministrit Edi Rama, duhet të trajtohet nga Kuvendi si prioritet kombëtar, sepse kjo është një çështje e një rëndësie kritike për të ardhmen e Shqipërisë:

Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme, diçka pozitive për vendin, do të ishte serioze, vetëm nëse ata që e propozojnë, janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionin.

Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor. Jemi ne që kemi bërë 11 vite betejë për këtë, me qeverinë më të korruptuar të këtyre 34 viteve, më e korruptuara në Rajon e Europë.

Jemi ne që kemi denoncuar me fakte aferën korruptive të inceneratorëve. Edi Rama i doli në mbrojtje.

·Jemi ne që kemi denoncuar aferën me kontratat korruptive në sektorin e shëndetësisë. Edi Rama i doli në mbrojtje.

· Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Bashkinë e Tiranës. Edi Rama i doli në mbrojtje.

·Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Policinë e Shtetit që solli kanabizimin e vendit. Edi Rama i doli në mbrojtje.

·Jemi ne që luftojmë për tolerancë zero ndaj korrupsionit zgjedhor. Edi Rama është arkitekti i tij.

·Jemi ne që luftojmë kundër qeverisjes dhe fuqizimit nga qeverisja të krimit të organizuar, si mundësia e vetme që lejon mirëqeverisjen dhe respektin ndaj shtetit ligjor. Edi Rama është arkitekti i kriminalizimit të institucioneve, duke vënë në rrezik serioz funksionimim demokratik të institucioneve publike.

Të luftosh korrupsionin nuk ka nevojë as për fjalë dhe as për rezoluta. Ka nevojë për akte, për veprime. Edi Rama kishte 11 vite kohë të na tregonte të paktën një akt, një veprim, që ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ka vullnet për të mirëqeverisur, ka vullnet për të respektuar shtetin ligjor.

Por për fat të keq, si çdo gjë tjetër, edhe luftën ndaj korrupsionit e konsideron çështje të propagandës së ditës apo PR, e lufton me fjalë, ndërkohë që veprat i ka krejt të kundërta. Dhe për propagandë dhe fjalë, Shqipëria ka humbur 11 vite, sepse Edi Rama tjetër thotë, tjetër premton, dhe komplet tjetër gjë bën.

Gjatë 11 viteve të fundit, qeveria e Edi Ramës ka demonstruar vazhdimisht se nuk është ajo fanar i përparimit dhe transparencës që pretendon të jetë, por përkundrazi një regjim që frymëzon dhe përjetëson korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë. Prandaj ndërsa Edi Rama propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, ne duhet të shqyrtojmë me kujdes rekordin e tij dhe të pyesim nëse qëllimet e tij përputhen me veprimet dhe politikat që kanë karakterizuar mandatin e tij.

Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, Rama ka drejtuar një qeveri që është akuzuar vazhdimisht për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International e rendit Shqipërinë vazhdimisht ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Pavarësisht kësaj, qeveria e Ramës ka bërë pak për të adresuar këto shqetësime, shpesh duke ndërmarrë hapa që përkeqësojnë, në vend që të zbusin problemin.

Administrata e Ramës ka qenë gjithashtu e mbushur me skandale që përfshijnë PPP dhe koncesione qeveritare. Këto marrëveshje, shpesh të mbuluara me “Sekret”, janë marrëveshje me mungesë transparence dhe për përfitimin e një rrethi të ngushtë biznesesh me lidhje të ngushta me qeverinë. Ky model i dhënies së kontratave fitimprurëse firmave të lidhura politikisht minon konkurrencën e ndershme dhe gërryen besimin publik në qeverisje. Ky model nuk ka asnjë lidhje me mirëqeverisjen apo aq më pak me shtetin ligjor.

Kur të gjithë ngrinin zërin për inceneratorët, Edi Rama na nxorri një video se sa mbetje digjeshin nëpër vendet e Europës dhe sa mirë ishte kjo për ambientin, duke vënë qeverinë e tij, dhe paratë publike në dispozicion të reklamave për përfitimin e Klodian Zotos dhe Mërtirit. Mori grupin e tij parlamentar dhe e dërgoj si mburojë në sheshin e krimit, nga një incenerator tek tjetri. Kur ne flisnim për koncesionet në shëndetësi, Antropologu i shquar i shekullit 21, Edi Rama, na tregonte se sa i gjatë duhet të ishe për të qenë hajdut. Aq sa Ilir Beqja dmth, pak a shumë gjatësia e Edi Ramës. Më tej doli edhe si gjinekolog me vegla operacionesh lindje në dorë, studio më studio. Ai nuk e kuptoi kurrë që është aty jo për të mbrojtur hajdutët, por për të ruajtur lekët e shqiptarëve, një detyrë që thellësisht dhe solemnisht e shpërdoroi me dëme të mëdha.

Po si ka mundësi, një Kryeministër që pretendon se është duar jashtë nga këto afera korruptive, nuk bëri kurrë një verifikim për hir të qytetarëve, për hir të transparencës dhe për hir të gjithë atyre që minimalisht shprehnin dyshim? Asgjë, përveçse i la të vidhnin deri në fund dhe kur ranë në rrjetën e drejtësisë, tani po i sheh kur bien si mollët e kalbura.

Po ka hipokrizi më të madhe sesa të thotë Edi Rama se ka vullnet për të bërë reforma që sigurojnë mirëqeverisjen e vendit. Po a nuk është ky i njëjti individ që për “mirëqeverisje” i ofroi qytetarëve të Lezhës qeverisjen nga Arben Ndoka, qytetarëve të Krujës qeverisjen nga Rrahman Rrahja, e kështu me rradhë në çdo qytetet, të cilët pasi qeverisnin me delegim nga Edi Rama gjatë ditës, në darkë bënin planet sesi të vrisnin njëri- tjetrin apo qytetarët që qeverisnin. Dhe ky hesht, nuk thotë dot asnjë fjalë, asnjë ndjesë për qytetarët që në vend të përfaqësuesve të tyre u ofrojë përfaqësues të krimit të organizuar për ti qeverisur, madje “drejtues të grupeve të strukturuara kriminale”.

A nuk ishte propozuesi i kësaj Rezolute, që korruptoi një zyrtar të huaj, ish agjentin e FBI McGonigal, për llogari të pushtetit të tij? Po si mund të besohet Edi Rama kur thotë se do të përmirësojë procesin legjislativ për të parandaluar konfliktin e interesit dhe lobimin për interesa private gjatë ligjbërjes, ndërkohë që pasi ka depozituar draft rezolutën, ekzaktësisht një javë më parë, brenda 24 orëve propozoi ndryshimet në ligjin për privaitizimin e pronave shtetërore, për llogari të klientëve të tij. A nuk është ky po i njëjti që shtyu 5 herë ligjin për investimet strategjike për llogari të Pëllumb Gjokës? Edhe ky ditën me firmë të Edi Ramës bëhej investitor strategjik, ndërkohë që natën porosite vrasje. E keni dëgjuar të thotë, gabova, me firmën time fuqizova një eksponent të krimit të organizuar.

Nuk e thotë dot, sepse me ta ka qeverisur, për shkak se me ta ka fituar zgjedhjet, sipas parimit “të vjedhim Shqipërinë për të vjedhur zgjedhjet, dhe të vjedhim zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë”. Duke minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Edi Rama ka gërryer themelin e demokracisë dhe ka përjetësuar një sistem ku korrupsioni nuk është thjesht i toleruar, por aktivisht i përdorur si një mjet politik.”, tha ai.