Zhvillimet pozitive në turizëm po ndihmojnë konsumin, teksa të ardhurat nga TVSH e brendshme u rritën me 40% në muajin prill të këtij viti.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave referojnë se, në prill u arkëtuan 6.2 miliardë lekë nga TVSH e brendshme nga tatimet, nga 4,4 miliardë lekë në prill të vitit 2024.
Për të gjithë 4-mujorin tatimet kanë arkëtuar 24,2 miliardë TVSH lekë, me rritje vjetore 23.2%.
Nisur nga rezultatet pozitive, tatimet kanë rritur shumat e rimbursimit për bizneset. Vetëm për muajin prill u rikthyen te bizneset 4,07 miliardë lekë (40 mln euro), vlera kjo sa 65% e arkëtimeve mujore të TVSH-se.
Për të gjithë 4-mujorin e parë 2024, tatimet rimbursuan 4,5 miliardë lekë TVSH ndaj biznesit me rritje 18.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Të ardhurat totale nga TVSH-ja neto në buxhetin arritën në 67 miliardë lekë në janar-prill 2024 më rritje vjetore 10.8%, por kontributin më të madh në këtë vlerë e kanë të ardhurat nga TVSH që vilen në doganë.
TVSH e arkëtuar nga doganat kontribuoi me 70% të totalit të TVSH -së së arkëtuar në 4 mujor, ndërsa TVSH e brendshme e grumbulluar nga tatimet me 30%.
Për 12-mujorin 2023 rimbursimi për TVSH-në ishte programuar 18 miliard lekë dhe është realizuar në vlerën 22.6 miliard lekë me një realizim prej 4.6 miliard lekë ose 25.6% më shumë. Krahasuar me vitin 2022 , shuma e rimbursimit ishte 0.6% më shumë.
Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Kërkesa i nënshtrohet analizës se riskut për rimbursim.
Bizneset me ris zero rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.
Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë.
Tatimet kanë shlyer tërësisht detyrimet e prapambetura që akumuloheshin në rimbursimin e TVSH-së dhe afatet nga kërkesa tek përfitimi janë shkurtuar ndjeshëm./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor