Vendosni fjalën kyçe....

Si arriti Kina të mbizotërojë në politikën industriale


*Nga Patricia Cohen, Keith Bradsher dhe Jim Tankersley

Për më shumë se gjysmë shekulli, shqetësimet rreth mungesës së naftës ose dëmtimit  të klimës i kanë nxitur qeveritë të investojnë në burime alternative të energjisë.

Në vitet 1970, presidenti amerikan Jimmy Carter vendosi panele diellore në çatinë e Shtëpisë së Bardhë si një simbol i angazhimit të tij për të prodhuar energji nga dielli.

Në vitet 1990, Japonia u ofroi pronarëve të shtëpive subvencione novatore për të vendosur panele fotovoltaike. Dhe në vitet 2000, Gjermania zhvilloi një program inovativ që u garantonte konsumatorëve që përdornin një sistem të energjisë diellore se do e shisnin energjinë e tyre me fitim.

Por asnjë vend nuk ka arritur të përputhet me shkallën dhe këmbënguljen e mbështetjes së Kinës. Dëshmia është në prodhim. Në vitin 2022, Pekini përbënte 85 për qind të të gjithë investimeve të prodhimit të energjisë së pastër në botë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Tani Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe vende të tjera të pasura po përpiqen furishëm ta arrijnë. Duke shpresuar të korrigjojnë hapat e gabuar të së kaluarës në politikën industriale dhe të mësojnë nga sukseset e Kinës, ata po shpenzojnë shuma të mëdha për subvencionimin e kompanive vendase, ndërsa gjithashtu kërkojnë të bllokojnë prodhimet konkurruese kineze.

Ata kanë bërë përparime modeste. Vitin e kaluar, tha Agjencia e Energjisë, pjesa e Kinës në investimet e reja të fabrikave të energjisë së pastër ra në 75 për qind.

Problemi për Perëndimin, megjithatë, është se mbizotërimi industrial i Kinës mbështetet nga përvoja dekadash duke përdorur fuqinë e një shteti njëpartiak për të tërhequr të gjitha levat e qeverisë dhe bankave, duke nxitur konkurrencën e furishme midis kompanive private.

Prodhimi i pakrahasueshëm i paneleve diellore dhe automjeteve elektrike në Kinë është ndërtuar mbi një kultivim të mëparshëm të industrisë kimike, çelikut, baterive dhe elektronikës, si dhe investime të mëdha në linjat hekurudhore, porte dhe autostrada.

Nga viti 2017 deri në vitin 2019, ajo shpenzoi 1.7 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto për mbështetjen industriale, më shumë se dyfishi i përqindjes së çdo vendi tjetër, sipas një analize nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Këto shpenzime përfshinin kredi me kosto të ulët nga bankat e kontrolluara nga shteti dhe tokë të lirë nga qeveritë provinciale, me pak pritshmëri që kompanitë që ata po ndihmonin do kishin fitime të menjëhershme.

Dhe u shoqërua me atë të cilën Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera e kanë akuzuar Kinën, gatishmëria për të anashkaluar marrëveshjet e tregtisë ndërkombëtare, për t’u përfshirë në vjedhje të pronës intelektuale dhe për të përdorur punën e detyruar.

Të gjithë këto elementë të kombinuar kanë ndihmuar në vendosjen e Kinës në pozitën e sotme për të përmbytur vendet rivale me makina elektrike me kosto të ulët, bateri diellore dhe bateri litiumi, ndërsa konsumatorët në të gjithë botën e pasur po i drejtohen gjithnjë e më shumë teknologjisë së gjelbër.

Kina tani kontrollon mbi 80 për qind të prodhimit mbarëbotëror të çdo hapi të prodhimit të paneleve diellore, sa për shembull.

“Ka ekonomi të mëdha shkalle duke synuar hapa të mëdhenj siç bëri Kina”, tha Gregory Nemet, profesor i Politikave Publike në Universitetin e Wisconsin, i cili ka studiuar industrinë globale të diellit. Kur investimet çuan në mbikapacitet, duke shtypur rentabilitetin e kompanive të Kinës, Pekini ishte i gatshëm të manovronte humbjet.

Presidenti amerikan Biden dhe krerët evropianë janë të vendosur të zhvillojnë kapacitetin prodhues të vendeve të tyre në teknologjitë e përparuara si gjysmëpërçuesit, automjetet elektrike dhe bateritë, pjesërisht duke përshtatur disa nga taktikat e Kinës për të ushqyer industritë.

Ngritja e Kinës për të mbizotëruar sektorët kryesorë të prodhimit global tregoi potencialin dhe fuqinë e politikës industriale kombëtare, tha Jennifer Harris, një ish-ndihmëse e Biden që tani drejton Nismën për Ekonominë dhe Shoqërinë në “Fondacionin William dhe Flora Hewlett”.

“A ishte e kotë? Absolutisht”, tha ajo.

“A ishte e suksesshme? Absolutisht.”

Biden dhe krerët e qeverive evropiane janë më të gatshëm të kritikojnë Pekinin për, siç thonë ata, praktika të paligjshme, si subvencionimi i qëllimshëm i prodhimit të tepërt dhe më pas dërgimi i mallrave me çmim të ulët në vende të tjera.

Pekini mohon se ka shkelur rregullat e tregtisë, duke pretenduar se kapaciteti i tij i madh industrial është një shenjë suksesi. Xi Jinping, udhëheqësi më i lartë i Kinës, tha këtë muaj se Kina kishte rritur ofertën globale të mallrave dhe kishte zbutur presionet ndërkombëtare të inflacionit, duke ndihmuar botën të luftojë ndryshimet klimatike.

Biden tha këtë muaj se do vendoste tarifa deri në 100 për qind mbi importet e teknologjive të gjelbra kineze, duke përfshirë automjetet elektrike. Synimi është që t’i mohohet Kinës një hapje e mëëtejshme në Amerikë.

Zyrtarët evropianë pritet të vendosin tarifat e tyre së shpejti – pavarësisht paralajmërimeve nga disa ekonomistë dhe ambientalistë se masat do ngadalësojnë përparimin në përmbushjen e objektivave të energjisë së pastër. Evropa po shqetësohet gjithnjë e më shumë për çështjet e sigurisë pasi Kina ka anuar qëndrimin e saj gjeopolitik ndaj Rusisë dhe Iranit.

Përqafimi i politikës industriale nga Perëndimi është një largim nga ideologjia e tregjeve të hapura dhe ndërhyrjes minimale të qeverisë që më parë kanë mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Politikat e nxitura nga krizat energjetike të viteve 1970 u ndryshuan kryesisht kur Ronald Reagan u zgjodh president në 1980. Edhe panelet diellore të vendosura në Shtëpinë e Bardhë gjatë administrimit të Carter u hoqën.

Me përjashtim të disa industrive të lidhura me sigurinë, Shtetet e Bashkuara miratuan pikëpamjen se një treg i papenguar e di gjithmonë më mirë rrugën.

“Nëse rezultati përfundimtar do ishte se ju duhej të mbështeteshit te vendet e tjera për pjesët kyçe, kjo ishte në rregull,” tha Brad Setser, një anëtar i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Joseph Stiglitz, një ekonomist në Universitetin e Kolumbias, tha se Shteteve të Bashkuara u mungonte prej kohësh një politikë më e gjerë industriale dhe një strategji e bashkërenduar.

“Edhe demokratët kishin frikë të merrnin një rol më agresiv të qeverisë,” tha ai, “dhe mendoj se ishte padyshim një gabim i madh me pasoja afatgjata.”

Nga këndvështrimi i disa ekonomistëve kinezë, ankesat nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa se po u bëhet padrejtësi, janë një shenjë e dështimeve të qeverive të tyre.

“Vendimi i Perëndimit për të ndjekur politika ekonomike neoliberale ishte një gabim strategjik, i cili çoi në deindustrializimin e ekonomive të tyre dhe i dha Kinës një mundësi,” tha Zheng Yongnian, një profesor në Universitetin Kinez të Hong Kongut.

Çfarëdo gabimesh të bëra, krerët politikë në Shtetet e Bashkuara thonë se janë të vendosur të mos i përsërisin ato.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian bënë “përparime të rëndësishme” në teknologjinë e energjisë së pastër.

Dhe programi shumëmiliardë dollarësh i administratës Biden është një nga përdorimet më të gjera të politikës industriale në historinë amerikane.

Tarifat e Biden janë një përshkallëzim i synuar i një ofensive tregtare amerikane kundër Kinës që filloi nën ish-presidentin Donald J. Trump. Trump vendosi tarifa për mallrat e importuara nga Kina me vlerë më shumë se 350 miliardë dollarë në vit, duke çuar në tarifa hakmarrëse nga Pekini.

Biden i ka mbajtur ato tarifa, i ka shtuar ose rritur ato për energjinë e pastër dhe ka ngritur pengesa të reja për tregtinë me Pekinin, duke përfshirë mohimin e qasjes së Kinës në gjysmëpërçuesit e përparuar nga Shtetet e Bashkuara.

Axhenda tregtare e Biden është “shumë, shumë agresive”, tha David Autor, një ekonomist i Institutit të Teknologjisë në Massachusetts, i cili ka dokumentuar gjerësisht efektet e tregtisë me Kinën në ekonominë amerikane, duke përfshirë humbjet e vendeve të punës në fabrika.

Sipas tij, ka dallime kritike midis strategjisë tregtare të Biden dhe asaj të Pekinit, pasi të dy vendet kërkojnë të udhëheqin garën e energjisë së pastër.

Kina ishte më e përqendruar në dërgimin e eksporteve me kosto të ulët në tregjet globale, tha Autor, dhe parandalimin e firmave të huaja nga mbizotërimi i tregjeve të brendshme të Kinës.

Biden, tha ai, është më i përqendruar në mbajtjen jashtë të importeve nga Kina dhe mohimin e qasjes së Kinës në disa teknologji kyçe amerikane, si gjysmëpërçuesit e përparuar.

Në një takim javën e kaluar në Itali të ministrave të Financave të G7-ës, udhëheqësit nga të dyja anët e Atlantikut paralajmëruan se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të bashkërendojnë proteksionizmin dhe subvencionet e tyre nëse shpresojnë të kapin Pekinin në garën për të mbizotëruar industritë kryesore.

“Mbikapaciteti kërcënon qëndrueshmërinë e firmave në mbarë botën, duke përfshirë tregjet në zhvillim”, tha të enjten Sekretarja e Thesarit Janet L. Yellen.

“Është kritike,” shtoi ajo, “që ne dhe numri në rritje i vendeve që e kanë identifikuar këtë si një shqetësim të paraqesim një front të qartë dhe të bashkuar.”

*Patricia Cohen shkruan për ekonominë globale dhe është e vendosur në Londër.

*Keith Bradsher është shefi i zyrës së Pekinit për The Times. Ai ka shërbyer më parë si shef zyre në Shangai, Hong Kong dhe Detroit dhe si korrespondent në Uashington. Ai ka jetuar dhe raportuar në Kinën kontinentale gjatë pandemisë.

*Jim Tankersley shkruan për politikën ekonomike në Shtëpinë e Bardhë dhe se si ajo ndikon në vendin dhe botën. Ai e ka mbuluar këtë temë për më shumë se një duzinë vjet në Uashington, me fokus në klasën e mesme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani