Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky u bën apel aleatëve: Perëndimi t’i bëjë presion Moskës për paqen


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar liderëve perëndimorë që të bëjnë presion ndaj Rusisë për paqe duke përdorur “të gjitha mjetet” e nevojshme.

Duke folur në Spanjë, Zelensky tha se duhej të kishte “shtrëngim të Rusisë”, e cila po kërkonte “të shkatërrojë Ukrainën dhe të vazhdojë përpara”.

Zelensky ka thënë prej kohësh se nuk do të negociojë drejtpërdrejt me Rusinë derisa forcat e Moskës të largohen nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë Krimenë.

Presidenti ukrainas hodhi poshtë idenë për të ftuar Rusinë në një samit të planifikuar të paqes në Zvicër muajin e ardhshëm. Samiti pritet të përfshijë përfaqësues të më shumë se 90 vendeve.

Delegatët do të “përpiqen të hartojnë një kurs për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë” bazuar në 10 kërkesat e paraqitura nga Kievi që bëjnë thirrje për kthimin e të gjithë territorit të pushtuar, pagesat e dëmshpërblimeve për dëmet e lidhura me luftën dhe krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet ruse të luftës, një plan që Moska e ka hedhur poshtë kategorikisht.

Rusia thotë publikisht se është e gatshme për bisedime paqeje, me kusht që territoret e pushtuara tashmë në Ukrainë të mbeten nën kontrollin e saj.