Vendosni fjalën kyçe....

Goditja e kampit në Rafah ku u vranë 45 palestinezë “gabim tragjik” – Netanyahu


Izraeli ka nisur një hetim pasi të paktën 45 refugjatë palestinezë u vranë në sulmin e së dielës së ushtrisë izraelite (IDF) në qytetin jugor të Gazës, Rafah, të cilin e kishte shpallur më parë “zonë të sigurt”.

Sipas ABC News, copëzat nga goditja ndezën një rezervuar karburanti 100 metra larg objektivit të synuar, duke krijuar një zjarr të madh në një kamp ku strehoheshin personat e zhvendosur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi vdekjen e civilëve në një fjalim në parlamentin e Izraelit të hënën.

“Megjithë përpjekjet tona maksimale për të mos dëmtuar civilët e pafajshëm, mbrëmë ka pasur një gabim tragjik”, tha ai, cituar nga Associated Press.

“Ne po hetojmë incidentin dhe do arrijmë një përfundim sepse kjo është politika jonë.”

IDF-ja tha më parë se sulmi në zonën Tel Al-Sultan kishte vrarë dy zyrtarë të lartë të Hamasit, duke përfshirë komandantin e selisë së grupit militant palestinez në Bregun Perëndimor.

Në një deklaratë të veçantë, ushtria izraelite këmbënguli se kishte ndërmarrë “shumë hapa për të zvogëluar mundësinë e dëmtimit të civilëve, duke përfshirë mbikëqyrjen ajrore, përdorimin e municioneve të sakta dhe informacione shtesë të inteligjencës”.

Times of Israel citoi një burim të IDF-së të thoshte se në sulm u përdorën dy raketa “të zvogëluara në kapacitet “.

Incidenti i ka shtuar presionit ndërkombëtar mbi Izraelin për një armëpushim gjithëpërfshirës në Gaza ose të paktën për të pakësuar operacionet në enklavën palestineze me popullsi të dendur.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së i quajti pamjet nga Rafah “zemërthyese” dhe i kërkoi Izraelit “të marrë çdo masë paraprake të mundshme për të mbrojtur civilët”.

Ndërsa IDF-ja mohon se ka shënjestruar qëllimisht civilët, ajo ka pranuar gabime në procesin e saj të shënjestrimit në të kaluarën, duke përfshirë një sulm ndaj një kolone ndihmash muajin e kaluar që la shtatë shtetas të huaj të vdekur.

Në fjalimin e tij të hënën, Netanyahu u zotua të vazhdojë luftën kundër Hamasit.

“Nëse dorëzohemi, do t’i japim një fitore të madhe terrorizmit, Iranit dhe gjithë boshtit të së keqes, atyre që na dëshirojnë vdekjen”, tha ai.

Më shumë se 36,000 palestinezë janë vrarë në më shumë se shtatë muaj luftime, sipas autoriteteve lokale të drejtuara nga Hamasi.

Izraeli i shpalli luftë Hamasit pasi militantët sulmuan vendbanimet jugore izraelite më 7 tetor, duke lënë rreth 1200 njerëz të vdekur dhe duke marrë më shumë se 200 pengje. Dhjetra robër u liruan më pas si pjesë e shkëmbimeve të të burgosurve gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor.