Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi kontratën e re që do të rregullojë marrëdhëniet mes dy kompanive publike, asaj të prodhimit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal pjesë e OSHEE Group.
Në një parashtrim të gjithë elementëve që ndryshojnë së pari për vitin 2024 korrigjohet pjesa që lidhet me gjendjen e emergjencës në furnizim e cila nuk është më në fuqi këtë vit sikurse ka ndodhur dy vitet e mëparshme.
Konkretisht ERE parashtron në vendim se nga vlerësimet e bëra të bazës ligjore të përdorur në kontratën e propozuar nga palët (KESH sh.a. dhe FSHU sh.a.) rezulton e plotë dhe në të njëjtën kohë ka reflektuar ndryshimet që kanë ndodhur përgjatë vitit 2024.
“Respektivisht që prej 1 Janarit 2024 është hequr gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike e shpallur ne Vendimin nr. 584, date 08.10.2021 të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar. Gjithashtu duke marrë në konsideratë faktin se pjesë integrale e kontratës së propozuar është dhe Aneksi II “Për rregullimet financiare të marrëdhënies së shit-blerjes së energjisë elektrike ndërmjet shoqërisë së prodhimit të energjisë elektrike të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti, KESH sh.a. dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) sh.a., për periudhën kohore 01.01.2024 – 31.12.2024, ky Aneks ka rregulluar të gjithë marrëdhënien financiare të shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike ndërmjet Palëve për plotësimin e kërkesës së Blerësit për energji për përmbushjen e detyrimit si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) për periudhën kohore 01.01.2024 — 31.12.2024” thuhet në vendim.
ERE sqaron se marrëdhënia e shitjes dhe e blerjes së energjisë fizike ndërmjet Palëve për plotësimin e kërkesës së Blerësit për energji për përmbushjen e rolit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) do të realizohet nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë “ALPEX” sh.a., në tregun e ditës në avancë.
Ndërkohë në një tjetër pikë ka të bëjë me pagesat dhe procesin e rakordimit i cili në vendimin e vjetër parashikonte pagesë brenda 45 ditësh nga data e fundit e lëvrimit.
Pas një korrespondence me kompanitë publike mbi afatet, FSHU ka bërë me dije se procesi i rakordimit për muajin e fundit të vitit realizohet deri në 25 janar dhe nuk është e mundur që të ketë një detyrim për pagesë për një periudhë kaq të shkurtër deri në 30 janar në këtë mënyrë palët kanë dakordësuar që kjo pagesë të unifikohet 45 ditë nga data e fundit të lëvrimit.
“Në kontratën e dakordësuar nga palët nuk rezulton që të lindin detyrime financiare shtesë lidhur me këtë proces që pagesa e faturës sistemuese të realizohet 45 ditë nga data e fundit e lëvrimit” nënvizon Enti.
VINI RE: Ky material është pronësi intlektuale e Monitor