Vendosni fjalën kyçe....

Molotovi te protesta rrezikoi punonjësit e medieve, Shoqata e gazetarëve: Të arrestohen autorët


Shoqata e Gazetarëve Europian (AEJ), seksioni shqiptar, ka shprehur shqetësimin e saj për incidentin e ndodhur gjatë protestës së sotme para bashkisë, ku protestuesit e Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë (PL) hodhën molotov në drejtim të gazetarëve dhe kameramanëve.

AEJ ka bërë thirrje që policia të ndërhyjë dhe të vendosë para drejtësisë autorët e këtij incidenti, i cili mund të kishte pasur pasoja fatale.

Shoqata theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shtypit, duke kërkuar masa të menjëhershme për të siguruar sigurinë e përfaqësuesve të medias gjatë mbulimit të protestave dhe ngjarjeve të tjera publike.

“Shoqata e gazetarëve Europian seksioni shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjet e sotme, ku persona të panjohur hodhën molotov në drejtim të gazetarëve dhe kameramanëve gjatë protestës para bashkisë Tiranë, organizuar nga opozita dhe “Aleanca për teatrin”.

AEJ Shqipëri, i bën thirrje aktorëve politikë që kenë kujdes dhe të respektojnë gazetarët dhe kameramanët që ndjekin protesta dhe aktivitete të tilla. AEJ i bën apel policisë së shtetit, që ti vendos para drejtësisë autorët e këtij incidenti që mund të merrte përmasa fatale.’- thuhet në reagimin e AEJ.