Vendosni fjalën kyçe....

Ngecin bisedimet, OBSH “e sigurt” se traktati global për pandemitë mund të arrihet

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehu besimin se një dakordësi për një marrëveshje globale për pandeminë ende mund të arrihet, raportoi Reuters.

Për më shumë se dy vjet, ministrat nga 194 shtetet anëtare të OBSH-së kanë luftuar për të hartuar një traktat mbi rregullat e reja të reagimit ndaj pandemisë në vazhdën e Covid-19, e cila sipas OBSH-së ka vrarë 13 milionë njerëz që nga viti 2019.

Negociatorët përsëri nuk arritën të prodhonin një projektmarrëveshje të premten e kaluar për miratim zyrtar nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë këtë javë.

“Sigurisht, ne të gjithë dëshirojmë që të kishim qenë në gjendje të arrinim një konsensus mbi marrëveshjen dhe të kalonim vijën e finishit,” i tha Tedros asamblesë në fjalimin e tij të hapjes.

Ai tha se “ku ka vullnet, ka një rrugë” dhe se “ka besim” se një marrëveshje mund të arrihet ende.

“Unë e di se mes jush mbetet një vullnet i përbashkët për ta bërë këtë,” i tha drejtori i përgjithshëm asamblesë.

Vendet anëtare të OBSH-së i kishin kërkuar agjencisë shëndetësore të OKB-së në vitin 2021 që të mbikëqyrte bisedimet për një marrëveshje pandemike dhe të dërguarit kanë punuar javët e fundit për të formuluar një draft përpara një afati të vetëimponuar këtë muaj.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave, negociatorët ishin të ndarë për shumë çështje. Reuters raportoi se zyrtarët shëndetësorë ishin të zhgënjyer me diskutimet që shtriheshin pas mesnatës, me kthesat e momentit të fundit në dhe me kritikat në rritje se një traktat i tillë do minonte sovranitetin kombëtar.

Në fillim të këtij muaji, senatorët republikanë i shkruan një letër presidentit të SHBA-së Joe Biden duke denoncuar projektmarrëveshjen dhe i kërkuan Biden të mos nënshkruajë.

I gjithë procesi mund të zgjasë deri në dy vjet të tjera për t’u përfunduar, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane për Reuters, duke shtuar se Uashingtoni ishte ende i përkushtuar ndaj procesit.

Bisedimet thuhet se janë ende në vijim për të përditësuar rregullat ekzistuese për shpërthimet e sëmundjeve, me një sistem të ri të niveleve të alarmeve që po diskutohet si përgjigje ndaj kritikave se OBSH ishte e ngadaltë për të vepruar ndaj pandemisë Covid-19 në fazat e saj të hershme.

Covid-19 fillimisht u shfaq në fund të vitit 2019 dhe u shndërrua në epideminë më të madhe në gati një shekull. OBSH tha në një raport të ri javën e kaluar se rreth 13 milionë njerëz vdiqën gjatë pandemisë.