Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzon veton presidenciale për ligjin “për agjentët e huaj”


Parlamenti gjeorgjian votoi të martën për të rrëzuar veton presidenciale të vendosur ndaj ligjit për “agjentët e huaj”, që ka krijuar shqetësime në Perëndim dhe ka shkaktuar protesta masive në vend prej disa javësh. Nëpërmjet zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, Shtetet e Bashkuara dënuan të martën votimin në parlament që rrëzoi veton e presidentes gjeorgjiane.

Parlamenti, ku ka shumicën partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, rrëzoi veton e presidentes Salome Zourabichvili të vendosur ndaj ligjit që ajo dhe kritikë të tjerë thonë se kufizon lirinë e mediave dhe dëmton shanset e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Presidentja ka tashmë pesë ditë afat për ta miratuar ligjin dhe nëse ajo nuk e miraton, kryetari i parlamentit do të firmosë hyrjen në fuqi të ligjit.

Projektligji që ishte miratuar më herët këtë muaj nga parlamenti do të detyrojë organizatat joqeveritare dhe grupet e tjera jofitimprurëse të regjistrohen si entitete “që punojnë për interesat e një fuqie të huaj”, nëse mbi 20% e financimit të tyre vjen nga jashtë vendit.

Presidentja Zourabichvili, e cila ka mosmarrëveshje gjithnjë e më të mëdha me partinë në pushtet, vendosi veton ndaj projektligjit në datën 18 maj. Ajo e ka akuzuar partinë në pushtet se po rrezikon të ardhmen e vendit dhe po “dëmton rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë në botën e lirë dhe demokratike”.

Qeveria thotë se projektligji është i nevojshëm për të frenuar ata që i konsideron faktorë të huaj të dëmshëm që përpiqen të destabilizojnë vendin e Kaukazit jugor prej 3.7 milionë banorësh, por shumë gazetarë dhe aktivistë gjeorgjianë argumentojnë se qëllimi i vërtetë i projektligjit është t’i stigmatizojë ata dhe të kufizojë debatin përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në muajin tetor.

Kundërshtarët e kritikojnë legjislacionin duke e quajtur “ligji rus”, pasi i ngjan masave të marra nga Kremlini për të goditur mediat e pavarura të lajmeve, organizatat jofitimprurëse dhe aktivistët. Kritikët thonë se masat mund të jetë nxitur nga Moska për të penguar shanset e Gjeorgjisë për t’u integruar më tej me Perëndimin.

Projektligji është pothuajse identik me atë që partia në pushtet u detyrua të tërheqë vitin e kaluar pas protestave masive. Demonstratat e ripërtërira u shtrinë sërish në mbarë Gjeorgjinë kur projektligji u paraqit në parlament. Demonstruesit u përleshën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t’i shpërndarë.

Zyra e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian ka thënë se miratimi i ligjit “ndikon negativisht në përparimin e Gjeorgjisë në rrugën drejt BE-së”.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi se sanksione me kufizime për udhëtimin do të vendosen ndaj zyrtarëve gjeorgjianë “të cilët janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në dëmtimin e demokracisë në Gjeorgji”. Ai vuri në dukje se “vazhdon të jetë shpresa jonë që udhëheqësit e Gjeorgjisë do ta rishqyrtojnë projektligjin dhe do të ndërmarrin hapa për të përparuar me aspiratat demokratike dhe euroatlantike të vendit të tyre”.

Bashkimi Evropian i ofroi Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat dhjetorin e kaluar, ndërsa e bëri të qartë se Tbilisi duhet të zbatojë rekomandimet kryesore të politikave që të përparojë në procesin e anëtarësimit.

Lëvizja e Bashkuar Kombëtare e opozitës e ka përshkruar projektligjin si pjesë e përpjekjeve të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane për ta tërhequr vendin në sferën e ndikimit të Rusisë – pretendim që partia në pushtet e mohon me forcë. Partia Ëndrra Gjeorgjiane u themelua nga Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër dhe miliarder që u pasurua në Rusi.

Marrëdhëniet Rusi-Gjeorgji kanë qenë shpesh të vështira që kur Gjeorgjia u bë e pavarur pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Në vitin 2008, Rusia bëri një luftë të shkurtër me Gjeorgjinë, e cila u përpoq pa sukses të rimarrë kontrollin mbi provincën e shkëputur të Osetisë Jugore. Moska më pas njohu Osetinë e Jugut dhe një provincë tjetër separatiste, Abkhazinë, si shtete të pavarura dhe forcoi praninë e saj ushtarake atje. Shumica e vendeve të botës i konsideron këto dy rajone si pjesë të Gjeorgjisë.

Tbilisi ndërpreu lidhjet diplomatike me Moskën dhe statusi i këtyre rajoneve mbetet një problem kryesor, megjithëse marrëdhëniet Rusi-Gjeorgji janë përmirësuar vitet e fundit.