Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i spiunazhit izraelit dyshohet se “kërcënoi” prokuroren e Gjykatës Ndërkombëtare – The Guardian


Ish-shefi i agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, Yossi Cohen, dyshohet se “kërcënoi” kryeprokuroren e Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale (ICC) për të hequr një hetim për krime lufte të nisur në vitin 2021, sipas The Guardian.

Burimet i thanë gazetës se disa vite më parë, drejtori i atëhershëm i Mossad, Cohen tentoi të kërcënonte ish-prokuroren e ICC-së, Fatou Bensouda, në një seri takimesh sekrete.

Kontakti i fshehtë dhe presioni i Cohen ndaj Bensouda-s ndodhi në vitet para vendimit të saj për të hapur një hetim zyrtar për krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në territoret e pushtuara palestineze, thuhet në raport, duke cituar burime të shumta anonime.

Objektivi i Mossad ishte “të komprometonte prokuroren ose ta regjistronte atë si dikë që do bashkëpunonte me kërkesat e Izraelit”, si dhe të ushtronte presion ndaj Bensouda-s që të braktiste hetimin, thuhej në shkrim.

Bensouda thuhet se informoi një grup të vogël zyrtarësh të lartë të ICC-së për përpjekjet e Cohen, duke shprehur shqetësimin për “natyrën e tij të vijueshme dhe kërcënuese”.

Burime të njohura me zbulimet e Bensouda-s në ICC konfirmuan se Cohen e kishte kërcënuar atë disa herë, me një nga zyrtarët që tha se shefi i Mossad kishte përdorur “taktika të neveritshme” kundër Bensouda-s si pjesë e një përpjekjeje përfundimisht të pasuksesshme për të ndikuar tek ajo. Sjellja e tij u krahasua me “përndjekjen”.

Sipas llogarive të ndara me zyrtarët e ICC-së, Cohen dyshohet se i tha prokurores së ICC-së: “Duhet të na ndihmoni dhe të na lini të kujdesemi për ju. Ju nuk dëshironi të futeni në gjëra që mund të rrezikojnë sigurinë tuaj ose të familjes suaj.”

Agjencitë izraelite të inteligjencës zhvilluan një “luftë” të fshehtë kundër ICC-së për gati një dekadë, duke synuar të prishin hetimet për krimet e dyshuara izraelite të luftës, tha gazeta.

Zbulimet vijnë pasi pasardhësi i Bensouda-s, Karim Khan, javën e kaluar aplikoi për një urdhërarresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant bazuar në hetimin e nisur në 2021.

Khan tha se kishte “baza të arsyeshme për të besuar” se zyrtarët e lartë ishin fajtorë për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” në konfliktin e Gazës. Khan tha gjithashtu se ai po kërkonte urdhërarreste për tre anëtarë të lartë të Hamasit.

Izraeli nuk është anëtar i ICC-së dhe nuk e njeh juridiksionin e gjykatës. Si Izraeli ashtu edhe aleati i tij kryesor, SHBA, e kanë dënuar njoftimin e ICC, me disa ligjvënës amerikanë që bëjnë thirrje për sanksione ndaj gjykatës së Hagës.