Vendosni fjalën kyçe....

Goditën me leva avokatin e Berishës, deputeti i PD te “Ligjet”: Autorët të vihen para përgjegjësisë penale


Në Komisionin e Ligjeve është komentuar dhuna ndaj avokatit të ish-kryeministri Sali Berisha, i cili paraditen e kësaj të mërkure u godit nga persona të paidentifikuara me leva, në zonën e ish-Bllokut, Tiranë.

Ka qenë deputeti demokrat Asllan Dogjani, i cili dënoi aktin dhe kërkoi nga organet ligj zbatuese që të vërë para përgjegjësisë penale autorët.

“A ndodhur një ngjarje e rëndë pak minuta më parë në Bllok. Meqë jemi në komisionin e ligjeve dhe rasti ka të bëjë me një avokat, i ciki është goditur në mes të bllokut në mes të ditës, është goditur ,me leva. Ai është pedagog, Sokol Mëngjesi, avokat i Berishës,

Të goditet një avokat në mes të ditës, tregon se bandat dhe krimi nuk kanë frikë nga ligji, nuk kemi sundim të ligjit. Gjej rastin ta dënoj këtë dhunë të ushtruar ndaj Sokol Mëngjesit dhe t’i kërkojmë organeve ligj zbatuese që autoret të vihen para përgjegjësisë penale. Në rast të kundërt, kështu siç po veprohet me avokatët dhe qytetarët, ku përditë po bëhet vetëgjyqësi, ku institucionet nuk janë në zbatim të ligjit, po ju them me bindje se Shqipëria do të boshatiset dita ditës”, tha Dogjani.

Dhe kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, ka dënuar dhunën dhe shprehu bindjen se organet e rendit dhe drejtësisë do ta zbardhin të vërtetën.

“Edhe në emër të komisionit solidarizohemi të gjithë si koleg dhe kundërshtojmë çdo akt dhune dhe çdo qytetari që ushtron funksionet e veta në profesionin e juristit.

Do duhet jo vetëm ta dënojmë, por t’i bëjmë thirrje të gjitha organeve të hetojnë dhe të vënë para përgjegjëses autorët, pa arritur ne në konkluzione, sepse kushdo qofshin individët e shoqërisë tonë që pësojnë dhunë kanë të drejtën për t’u mbrojtur dhe kushdo që e ushtron dhunën për të nxirren para përgjegjësisë.

Dhuna është e papranueshme dhe unë jam e bindur se organet tona, ato të rendit dhe ato të drejtësisë, janë duke punuar me ritme për të dhënë drejtësi dhe për të zbardhur të vërtetën. Uroj që zoti Mëngjesi të jetë mirë me shëndet dhe të rikuperohet dhe padyshim solidarizohemi me të’, tha Bushka.