Përkeqësohet gjendja shëndetsore e avokatit Sokol Mëngjesi. Sipas informacioneve të fundit nga spitali i Traumës, avokati Mëngjesi është futur në intubim.
Raportohet se gjendja shëndetësore e avokatit është përkeqësuar. Avokati u godit mëngjesin e sotëm nga të paktën 3 persona, në një nga rrugët e zonës së ish-Bllokut.
Ndaj tij është qëlluar me mjete të forta, ndërsa pësoi goditje në kokë, çka duket se i kanë përkeqësuar shëndetin. Avokati u transportua drejt spitalin e Traumës pak momente pas dhunës që pësoi ndërsa iu nënshtrua skanerit dhe kontrolleve të tjera, nga ku rezultoi se kishte fraktura dhe goditje në kokë, që i kanë shkaktuar fraktura dhe hematoma.
Pavarësisht se më parë ishte raportuar për një gjendje të qëndrueshme shëndetësore, mjekët e Traumës kanë vendosur avokatin në intubim, për shkak të komplikacioneve që ka shfaqur.
Sulmi fizik ndaj avokatit
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se Sokol Mëngjesi ka një frakturë në kokë dhe dëmtime të tjera në trup, ndërsa për momentin ndodhet në urgjencën. Konkretisht, avokati ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke. Nga këto goditje Mëngjesi ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël. Po ashtu ka dyshime se autorët e kanë goditur me dorezë hekuri. Pavarësisht këtyre dëmtimeve, duke iu referuar bluzave të bardha, gjendja e tij paraqitet stabël.
Gazetari Çelmeta raporton se Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital. Sakaq, policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar.
Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeçare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.
Në shtator të vitit 2020, Sokol Mëngjesi u zgjodh Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.
Njoftim paraprak i Policisë së Shtetit
Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.