Në vitin 2023 mbi 17 për qind e vendeve të punës në administratë ishin të paplotësuar me punonjës.
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit civil vëren në raportin vjetor të vitit të shkuar se numri i vendeve vakante ka ardhur në rritje nga viti në vit.
“Shifrat e vendeve vakante vazhdojnë të mbeten të larta. Kjo shifër prej 17.1% që rezultoi në fund të këtij procesi është rritur me 1.6% krahasuar me rreth 15.5% që rezultoi në fund të procesit të mbikëqyrjes së kryer në vitin 2021, ku të dhënat u administruan për një periudhë 3-vjeçare (2019-2021)” thuhet në dokument.
Për të kuptuar arsyet se pse këto vende bosh nuk arrijnë të kompletohen Komisioneri ka kërkuar të dhëna nga Departamenti i Administratës Publike dhe pas kësaj janë konstatuar tre arsye: a) ligjore, b) arsye që për shkak të dinamikave që ndodhin me marrëdhënien e punës së nëpunësve civilë, është e pamundur të parashikohen dhe planifikohen në fillim të vitit, si dhe c) arsyet që nuk varen nga veprimet apo mosveprimet e nëpunësve apo funksionarëve që ushtrojnë autoritet administrativ, publik.
Në raport Komsioneri rendit më të detajuara këto arsye që shkaktojnë vakancat në administratë kur ndër të tjera dorëheqjet apo pezullimet e deri tek migrimi i popullsisë. Më poshtë lista e plotë e arsyeve:
- Ruajtja e vendeve vakante për punonjësit me status të veçantë, për të cilët, në përfundim të detyrës së tyre, ligji i posaçëm parashikon emërimin e tyre në pozicionet vakante pjesë e shërbimit civil apo në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për rikthimin në detyrë të nëpunësve civilë.
- Dorëheqjet dhe pezullimet nga shërbimi civil për një kohëzgjatje më shumë se 3 muaj.
- Mobiliteti i nëpunësve civilë brenda sistemit të shërbimit civil nëpërmjet aplikimit të institutit të lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë apo transferimit të përhershëm.
- Largimi nga shërbimi civil për shkak të masave disiplinore apo lirimi nga shërbimi civil për çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.
- Zhvillimi i fushatës elektorale për zgjedhjet vendore.
- Përshtatja e pozicioneve të punës me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 31.5.2023, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”.
- Numri i ulët ose mungesa e aplikantëve që zotërojnë diploma në fusha specifike ose mungesa e interesit për pozicione pune në vende të caktuara, jashtë qyteteve apo në bashki të nivelit të dytë dhe të tretë për shkak të pagave të ulëta apo largësisë me qendrën e banimit, të cilat çojnë në përfundimin e procedurave të rekrutimit pa asnjë fitues.
- Mosplotësimi në kohë i mangësive në dokumentacion nga ana e kandidatëve të paraqitur.
- Migrimi i popullsisë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor