Avokati Sokol Mëngjesi i dhunuar mëngjesin e 29 majit 2024 në zonën e ish-bllokut në Tiranë vijon të jetë në gjendje të rëndë. Ai po mbahet në monitorim në sallën e Reanimacionit në Spitalin e Traumës”
“Lutemi të dalë nga koma. Kanë dashur të vrasin një nga avokatët më të mirë që ka pasur sistemi i drejtësisë.‘, tha avokati Sokol Vishaj, mik i avokatit Mëngjesi.
Ndërkohë Shqiptarja.com ka zbardhur dëshminë e Dorian Alisë, njëri prej 4 autorëve të dhunimit brutal të avokatit para derës së kopshtit të fëmijëve nr 31 vetëm pak minuta pasi kishte lënë djalin e tij të vogël.
Policia ka regjistruar një deklaratë të Alisë që ka thënë se sulmi ishte planifikuar. Sipas tij Dritan Nano ishte organizatori dhe porositësi dhe se kishin ditë që vëzhgonin lëvizjet dhe komunikonin me njëri tjetrin për këtë. Report Tv ka arritur të sigurojë dhe foton e 58 vjeçarit.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur për pjesën e pagesave të kontratës që Nano kishte firmosur me studion ligjore të avokat Mëngjesit në një gjyq për pronën. Nano më pas kishte refuzuar ta paguante edhe pse avokati kishte fituar gjyqin në të dy shkallët. Çështja kishte përfunduar deri në bllokimin e pronës nga përmbarimi.
.”Donin t’i bënim presion Mëngjesit të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur” ka thënë Aliaj. Ai ka pretendon para hetuesve se gjithë dhunën ndaj avokatit e ka kryer prej miqësisë me Dritan Nanon dhe se ia kishte kërkuar ai.
Në deklarime Aliaj ka treguar se ‘ishin përgatitur për t’i dhënë mesazh Mëngjesit, pa menduar se situata do të rëndohej dhe avokati do të merrte dëme të rënda’
Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
Policia vijon kërkimet për arrestimin e 3 autorëve të tjerë, konkretisht, 2 dhunuesit Elton Kasaj dhe Drivaldo Aliaj dhe Romario Tabaku i cili ka siguruar largimin e tre dhunuesve nga vendngjarja.
Edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë të siguruara nga Report Tv, avokati u godit fillimisht në fytyrë sapo doli nga kopshti nr.31 në ish-bllok, ku la fëmijën e tij, e më pas ra përdhe pa ndjenja, teksa autorët vijuan ta godasin me shkelma.
Dhunuesit, pala që fitoi gjyqin për pronën ku u ndërtuan kulla tek liqeni! S’donte ta paguante
Të katër të rinjtë ishin organizuar dhe porositur për të dhunuar avokatin nga Dritan Nano, 58 vjeç, i cili ishte klient i studios Ligjore “ALTERUM SHPK” të Sokol Mëngjesit. Nano ishte një prej 8 trashëgimtarëve të pronës në digën e Liqenit ku janë ndërtuar kullat nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Ai së bashku me trashëgimtarët e tjerë ka fituar gjyqin deri në apel, të asistuar nga avokat Mëngjesi, por më pas ai i vetëm ka refuzuar të paguajë detyrimet sipas kontratës. Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijojë shitja. Një muaj më parë të dyja palët kanë pasur një takim por s’kanë gjetur dakordësi. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore, ndërsa në fund ka zgjedhur dhunën.
Autorët e dyshuar të sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi
– Dritan Nano, 58 vjeç nga Tirana – Organizatori – I ndaluar
-Dorian Alia, 32 vjeç nga Tirana – Dhunuesi – U vetëdorëzua pasditen e 29 majit
-Elton Kasaj, 33 vjeç nga Tirana – Dhunuesi – Në kërkim
-Drivald Alia, 21 vjeç nga Tirana – Dhunuesi – Në kërkim
-Romario Tabaku, 33 vjeç nga Tirana – largoi një nga autorët me makinë – Në kërkim