Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale të enjten pasi një juri në Nju Jorkut e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes së një aktoreje të filmave pornografikë, përpara zgjedhjeve të 2016-ës.
Zoti Trump u shpall fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij.
34 akuzat erdhën nga 11 fatura, 12 kupona dhe 11 çeqe që përbëjnë pagesat mujore të rimbursimit të Trump për Michael Cohen, i cili përballoi pagesën prej 130,000 dollarë për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Ish-presidenti Donald Trump fajësoi administratën Biden pasi u shpall fajtor për 34 akuza për krime në gjyqin për paratë e heshtura.
“I gjithë vendi ynë po manipulohet tani”, u tha Trump gazetarëve pasi doli nga salla e gjyqit. “Kjo është bërë nga administrata Biden për të diskredituar një kundërshtar, një kundërshtar politik.”
Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur zoti Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.
Zoti Trump, 77 vjeç, ka mohuar akuzat dhe pritet të apelojë vendimin.