Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi për rrëzimin e helikopterit të presidentit iranian Raisi ngre më shumë pyetje


Hetuesit iranianë ende nuk kanë përcaktuar se çfarë e shkaktoi rrëzimin e helikopterit që vrau presidentin Ebrahim Raisi, por kanë përjashtuar sabotimin, njoftoi transmetuesi shtetëror IRIB të mërkurën.

Helikopteri Bell 212 i prodhuar nga SHBA, që transportonte Raisi dhe ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian u rrëzua më 19 maj në provincën iraniane të Azerbajxhanit Lindor, duke vrarë të gjithë personat në bord. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë iraniane është ngarkuar të hetojë shkakun.

“Është përjashtuar një shpërthim që mund të ketë ndodhur si pasojë e sabotimit gjatë fluturimit, apo disa sekonda para përplasjes me shpatin e kodrës”, thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm, raporton IRIB.

Pas ekzaminimit të dokumenteve dhe të dhënave në lidhje me avionin presidencial, “asnjë defekt që mund të ndikonte në aksident nuk u gjet për sa i përket riparimeve dhe mirëmbajtjes”, shtoi ushtria. Po kështu, pesha e helikopterit në ngritje ishte “brenda kufirit të lejuar”.

Helikopteri presidencial kishte komunikuar për herë të fundit me dy helikopterët e tjerë të grupit 69 sekonda përpara rrëzimit fatal dhe nuk kishte dërguar një sinjal emergjence, sipas raportit. Një problem me radiot është përjashtuar gjithashtu, pasi dy helikopterët e mbetur kanë vazhduar të komunikojnë, ndërsa midis mbetjeve të avionit presidencial nuk janë zbuluar “gjurmë të luftës elektronike”.