Incident në sallën e Kuvendit ku pritet të votohet për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Gazetarët u urdhëruan nga garda që të largohen nga salla.
Kjo gjë ka sjellë indinjatën e deputetëve të opozitës.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e cila ishte në podium duke folur, i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që mos t’i nxjerrë jashtë gazetarët.
Ina Zhupa kërkoi projektrezolutë dhe një mocion për debat në lidhje me dhunën ndaj gazetareve.
“Bëhet fjalë për një rezolutë për barazinë gjinore dhe për gratë gazetare. Ju duhet të thoshit faleminderit për këtë rezolutë dhe jo të thoni nuk është çështje e qeverisë. Rregullorja është e qartë dhe çdo jurist mund të thotë se si lexohen nenet, por ju dhemb se Rama i trajton gazetarët në mënyrën më të keqe të mundshme. Shqipëria është në vendin e fundit për lirinë medias. Ju i shtyni gazetarët kur bëjnë pyetje që kryeministrit tuaj nuk i pëlqejnë. Është faji i tij kur dhunohen gazetare femra. Mos shkelni rregulloren kur bëhet fjalë për lirinë e gazetarëve”, tha ajo.