Vendosni fjalën kyçe....

Noka sulmon Dumanin: Si Arianit Çela, rilindasit po mbjellin terror si Enver Hoxha


Deputeti i Rithemelimit  Flamur Noka, sulmoi kreun e SPAK-ut Altin Dumani, duke e krahasuar atë me prokurorin Arianit Çela të kohës së komunizmit.

Ai tha në Kuvend se në pushtet në Shqipëri janë ende “komunistët e rinj” të cilët po veprojnë njësoj si Enver Hoxha por me mënyra më të sofistikuara.

“Instituti për Krimet e Komunizmit meriton mbështetje, por ju nuk ia keni dhënë e nuk doni t’ja jepni. Disa prej jush kanë duartrokitur largqoftin. Ju nuk jeni ndarë nga ai regjim. Edhe mënyra si qeverisni, tregon të njëjtën metodë, por pak më e modernizuar. Ju jeni vetëm një zgjatim në formë dhe në përmbajtje nga komunizmi. Ju dini të sundoni e jo të qeverisni. Largqofti konsideronte armiq të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Ju 1 milionë vota i konsideronit shuplaka, se keni mendësinë që kundërshtari duhet parë sa më keq. Ju po mbillni terror si Enver Hoxha dikur. Hoxha burgosi shtresën e mesme, edhe Skënderbeu juaj zhduku shtresën e mesme. Edhe një tentativë që kishin profesionet e lira, që të shkonin në një shtresë të mesme, edhe atyre ua ngulët thikën dhe ua morët paratë. Edhe ju veproni me patronazhistët si me Sigurimin. Keni Dumanin si Arianit Çelën, e njëjta gjë. Ju vidhni më shumë se komunistët, vidhni paratë e shqiptarëve dhe bëni vila pa fund, bëni inceneratorin që nuk ekziston, keni 5D, skemë korruptive mafioze si kurrë më parë. Bëni ligje për t’ju marrë pronat shqiptarëve, me kamuflim.” – tha Noka.