Vendosni fjalën kyçe....

“S’kam lidhje” – I dyshuari si porositës i dhunës brutale ndaj avokatit Sokol Mëngjesi mohon akuzat


Dritan Nano, personi që dyshohet si porositësi i dhunimit brutal të avokatit Sokol Mëngjesi ka mohuar se ka lidhje me gjarjen e rëndë. Ai ka deklaruar në polici se nuk e ka organizuar sulmin dhe se nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë, raporton BW.

“Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen.” – ka deklaruar në polici Dritan Nano. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në zonën e ish-Bllokut ku avokati sapo kishte lënë fëmijën e mitur në kopsht.

Nano nuk ka dhënë deklarime të tjera ndërsa sipas policisë ka prova të mjaftueshme që e lidhin Nanon me dhunën ndaj avokatit Mëngjesi, i cili është në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Nano ka qenë në një çështje gjyqësore për një pronë te Kopshti Botanik në Tiranë, bashkë me familjarë të tjerë, ndërsa mësohet se ai e kishte humbur gjyqin. Ndërkohë, avokati Mëngjesi ishte përfaqësuesi ligjor i një prej familjarëve. Po ashtu raportohet se Nano ka pasur lidhje krushqie dhe shoqërore me autorët e dyshuar të sulmit ndaj avokatit të ish-kryeministrit Berisha.

Për dhunën brutale ndaj avokatit Mëngjesi janë shpallur në kërkim Elton Kasaj, Romario Tabaku e Drivald Alia ndërsa Dorian Alia është vetëdorëzuar në polici ditën e djeshme.