Vendosni fjalën kyçe....

U dhunua ditën e djeshme, avokati Sokol Mëngjesi në gjendje të rënduar shëndetësore


Avokati Sokol Mëngjesi i dhunuar ditën e djeshme në zonën e ish-bllokut vijon të jetë në gjendje të rëndë në sallën e Reanimacionit në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku po mbahet në monitorim. Mëngjesi u dhunua nga tre persona të identifikuar nga policia si: Dorian Alia, Elton Kasaj dhe Drivaldo Aliaj.

Ndërsa Romario Tabaku ka siguruar largimin e tre dhunuesve nga vendngjarja.

Pasditen e djeshme, u vetëdorëzua njëri prej dhunuesve në DVP e Tiranës, Dorian Alia, ndërsa policia vuri në pranga porositësin e dhunës ndaj avokat Mëngjesit, Dritan Nano. Tre personat e tjerë janë në kërkim nga policia

Siç bëri me dije drejtori i Policisë së Tiranë, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, goditja ndaj Mëngjesit erdhi për shkak të detyrës.

Mëngjesi përfaqësonte një familje në një çështje prone, të cilën e kishin fituar në proces gjyqësor në Shkallën e Parë dhe në Apel, por njëri prej pjesëtarëve të familjes nuk ka pranuar të paguajë Mëngjesin sipas kontratës.

Kjo mosmarrëveshje ka shkuar deri në dhunimin e avokatit i cili nuk ishte tërhequr ndaj detyrimeve kontraktuale që kishte lidhur me njërin prej familjarëve që rezulton të jetë Dritan Nano, i cili me anë të lidhje farefisnore porositi dhunën.