Vendosni fjalën kyçe....

Vapet mund të jenë më të rrezikshme se duhani i zakonshëm, thotë FDA


Alternativat e nikotinës të përdorura në vapet që përdoren në SHBA dhe jashtë saj, si nikotina 6-metil, mund të jenë më të fuqishme dhe të krijojnë më shumë varësi se vetë nikotina, megjithëse të dhënat shkencore mbeten të paplota, sipas FDA-së në SHBA dhe studiuesve të pavarur.

Substancat sintetike, të cilat kanë një strukturë kimike të ngjashme me atë të nikotinës, nuk i nënshtrohen rregulloreve të duhanit të SHBA-së që janë krijuar për të kontrolluar nikotinën tradicionale, një drogë që krijon shumë varësi.

Kjo do të thotë që prodhuesit mund të shesin vape që përmbajnë analogë sintetike të nikotinës si nikotina 6-metil në Shtetet e Bashkuara pa kërkuar autorizim nga FDA-ja, një proces që mund të jetë i kushtueshëm, kërkon kohë dhe shpesh është i pasuksesshëm.

Firmat e mëdha të duhanit si Altria Group dhe British American Tobacco, kanë humbur tashmë shitjet e konsiderueshme në SHBA ndaj një shtimi të vapeve të disponueshme që përmbajnë nikotinë tradicionale që shiten ilegalisht pa autirizimin e FDA-së.

Altria, prodhuesi i cigareve Marlboro në Shtetet e Bashkuara, theksoi përdorimin në zhvillim të 6-metil nikotinës në vape dhe alternativa të tjera për pirjen e duhanit në një letër të 9 majit drejtuar FDA-së, sipas një kopjeje të korrespondencës së postuar në faqen e saj të internetit.

Ai i kërkoi agjencisë që të vlerësojë përbërjet dhe të përcaktojë se çfarë autoriteti kishte mbi to, duke paralajmëruar se ato përbënin një “kërcënim të ri” për rregullimin e sektorit.

“Futja dhe rritja e kimikateve që synojnë të imitojnë efektet e nikotinës, nëse lihen të pakontrolluara, mund të paraqesin rreziqe të panjohura për konsumatorët amerikanë dhe të minojnë autoritetin e FDA-së”, thuhej në letër.

Në përgjigje të pyetjeve të Reuters në lidhje me nikotinën 6-metil dhe alternativat e tjera të nikotinës, FDA tha në një deklaratë: “Megjithëse nevojiten më shumë kërkime, disa të dhëna në zhvillim tregojnë se këto analoge të nikotinës mund të jenë më të fuqishme se nikotina. Mund të ndryshojë zhvillimin e trurit të adoleshentëve dhe të ketë efekte afatgjata në vëmendjen, mësimin dhe kujtesën e të rinjve.”

Nikotina tradicionale e gjetur në shumë vape nxirret nga gjethet e duhanit. 6-metil nikotina, në të kundërt, prodhohet tërësisht në laborator duke përdorur kimikate.

FDA tha se po konsideronte përdorimin e komponimeve të tilla sintetike nga një “perspektivë e gjerë agjencie” dhe do përdorte të gjitha burimet e saj për të mbrojtur të rinjtë nga prodhimet që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre. Përveç prodhimeve të duhanit, FDA gjithashtu rregullon barnat, ushqimet, kozmetikën dhe më shumë për të garantuar sigurinë dhe efikasitetin.

“FDA është një agjenci e drejtuar nga të dhënat dhe ne jemi në procesin e rishikimit të të dhënave të disponueshme për të informuar veprimet e mundshme në këtë hapësirë,” tha ajo në përgjigje të pyetjeve të Reuters.

Tre studiues akademikë i thanë agjencisë së lajmeve se studimet aktuale të 6-metil nikotinës janë shumë të kufizuara për të nxjerrë përfundime të qarta mbi ndikimin në shëndet ose në çfarë shkalle krijon varësi.

Imad Damaj, një profesor në Departamentin e Farmakologjisë dhe Toksikologjisë në Universitetin e Commonëealth të Virxhinias, tha se hulumtimi i tij tregoi se nikotina 6-metil mund të jetë më e fuqishme se nikotina, por nevojiteshin teste më të gjera për të thënë se çfarë ndikimi ka tek njerëzit.

Kufizimet e kërkimit ekzistues përfshinin faktin se disa punime ishin të financuara nga industria, ndërsa të tjera u përqendruan në ndikimin afatshkurtër te kafshët ose qelizat dhe ishin të pamjaftueshme për të kuptuar efektet e 6-metil nikotinës në trupin e njeriut, thanë studiuesit.

FDA ende nuk ka aprovuar ndonjë vape me shije që përdor nikotinë tradicionale për shitje në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se kompanitë nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se përfitimet shëndetësore që ofrojnë për duhanpirësit tejkalojnë rreziqet e njohura për të rinjtë, të cilët mund të jenë më të tërhequr nga shijet.