Vendosni fjalën kyçe....

Balluku takim me strukturat e Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës: Asnjë tolerancë për këdo që abuzon me detyrën


 

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me strukturat e Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorë, në prag të nisjes së sezonit turistik veror.

Balluku solli në vëmendje reformën e ndërmarrë në ujësjellës-kanalizime pak kohë më parë, e cila tashmë ka nisur të japë rezultatet e para pozitive.

Duke u ndalur në këtë pikë, Balluku tha se ka një përmirësim të të gjithë treguesve duke nisur nga mbledhja e të ardhurave, ulja e humbjeve në rrjet, si dhe avancimi me projektet për zhvillimin e sektorit nga veriu deri në jug.

“Ky është viti i parë ku ne kemi arritur që të kemi rezultate të mirëfillta të kësaj reforme, sot që të gjitha ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë aksioner maxhoritar Qeverinë Shqiptare. Sot kemi një tjetër nivel të përmirësuar thellësisht të mbledhjes së të ardhurave. Kemi përmirësuar uljen e humbjeve të ujit të pijshëm në rrjet. Kemi të përmirësuar të gjitha afatet kohore të dorëzimit të kontratave të ndërtimit të të gjitha projekteve që janë nga veriu deri në jug”, tha Balluku teksa shprehu rezerva për drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se në këtë drejtori është evidentuar një skemë abuzive për të përfituar të ardhura të pamerituara, duke paditur shoqërinë në gjykatë.

Sipas Zv.Kryeministres tashmë dosja e këtyre abuzimeve do t’ju dërgohet organeve kompetente ligjzbatuese dhe personat që kanë abuzuar me detyrën do të mbajnë përgjegjësi.

“Të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorës, të jemi sot në risk që të mos kemi mundësi që të ofrohet shërbimi ashtu siç duhet, sepse një grup njerëzish këtu ka vendosur që të marrë paratë e kompanisë dhe t’i keqpërdorë për qëllimet e veta, kjo është diçka që do të mbetet nëpër dollapët dhe sirtarët e ministrisë, por është një çështje që do të ndiqet penalisht”, paralajmëroi Balluku.

Në drejtorinë e Vlorës janë konstatuar abuzime ku punonjës dhe ish-punonjës, tashmë në pension, kanë marrë përfitime të padrejta duke paditur kompaninë.

Kjo skemë e ngjashme është përsëritur në disa raste, madje edhe nga juristët e shoqërisë që kanë pasur për detyrë të mbronin çështjet në gjykatë.