Me një kuti të mbushur plot me akte në dorë ish ministri I Shëndetësisë Ilir Beqaj është parë të dalë paraditen e sotme nga SPAK! Prapa ishte avokati i tij i cili tërhiqte për dore një valixhe ku ishin futur aktet e dosjes.
Më në fund ish ministri ka mundësi të marrë 700 fashikujt që SPAK ka vendosur në dosjen e sterilizimit për ta dorëzuar në GJKKO.
Seanca parapake gjyqësore e 13 majit në GJKKO u shty për në datën 3 qershor pasi avokatët e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj I kërkuan trupës gjykuese kohë që të njihen me dosjen e SPAK për koncesionin e sterilizimit.
Më 18 mars 2024, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për koncesionin e sterilizimit, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë, mes tyre zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, në paraburgim.
Ish ministri akuzohet për ‘shpërdorim detyre’ se ka miratuar kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin.
Hetimet 3-vjeçare kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Ndërkohë në shkurt u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare, llogari bankare me vlerë 295 mijë euro, 13 makina e apartament në Vlorë.