Vendosni fjalën kyçe....

Kreditimi në nivele rekord, u rrit me 50% për muajin prill


Kreditimi i ekonomisë vijoi rritjen me ritme të shpejta edhe në muajin prill.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga sektori bankar arriti vlerën e 34.2 miliardë lekëve, në rritje me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të gjithë katërmujorin e parë të vitit, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 117 miliardë lekëve, në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kredia e re për ekonominë është në nivelet më të larta historike për këtë periudhë të vitit.

Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për katërmujorin e parë të vitit pothuajse është rritur me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pesha e kredisë së re në lekë ndaj totalit ka arritur në 61%, nga 50% që kishte qenë një vit më parë.

Sipas segmenteve të klientëve, ndikimin kryesor në rritjen e shpejtë të kreditimit në muajt e parë të këtij viti po e jep biznesi. Shifrat tregojnë se për muajin prill kredia e re për bizneset u rrit me 78% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Për të gjithë 4-mujorin 2024, kredia e re për bizneset arriti në 82.9 miliardë lekë, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sektori bankar po shfaq një interes në rritje për të kredituar bizneset, veçanërisht projektet e korporatave të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe shumicën e projekteve madhore të partneritetit publik-privat të investimit në infrastrukturë.

Për muajin prill, edhe kreditimi i individëve iu kthye rritjes së shpejtë, me 49% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për katër muajt e parë të vitit, sektori bankar disbursoi pothuajse 34 miliardë lekë kredi për individët, në rritje me 21.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e shpejtë e kredisë këtë vit duket se mbështetet në perceptimet optimiste për ecurinë e ekonomisë, që po ruan ritme të kënaqshme të rritjes, e mbështetur sidomos nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit. Gjithashtu, gjendja e mirë e bilanceve të sektorit bankar dhe nivelet në rënie të kredive me probleme po e ndikojnë pozitivisht ofertën. Një ndikim në ritmet e kreditimit duket të ketë edhe mbajtja e niveleve të ulëta të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Shqipëria ka një nga normat bazë më të ulëta në Europë, në nivelin 3.25%.

Nga ana tjetër, kredia e re sidoqoftë nuk përfaqëson në të gjitha rastet flukse të reja, por përfshin edhe rinovimin e linjave ekzistuese të kredisë së biznesit apo zhvendosjen e kredive ekzistuese nga njëra bankë te tjetra.

Megjithatë, rritja e kredisë është e qartë edhe në ecurinë e portofolit total ose tepricës së saj. Në fund të muajit prill, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 771 miliardë lekëve, me një rritje prej 7.5 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 8.5% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të marsit rritja vjetore ishte 7.3%.

Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja ngelet në nivele më të ulëta, me 7.1% me bazë vjetore. Duhet thënë sidoqoftë se pjesërisht kjo i detyrohet peshës më të lartë të kredisë në valutë në portofolin e biznesit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor