Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Emigrimi po ndikon në ekonominë e Shqipërisë


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin e saj se emigrimi po ndikon më shumë se kurrë më parë në ekonominë e Shqipërisë.

Gjatë një interviste për ‘Euronews Albania’, Tabaku komentoi gjetjet e ‘Barometrit’ mbi problematikat kryesore që shqetësojnë qytetarët shqiptarë. Ajo theksoi se korrupsioni, papunësia dhe çmimet e larta janë faktorët kryesorë që kanë çuar në emigrimin masiv të shqiptarëve.

Tabaku vuri në dukje se këto probleme strukturore po detyrojnë shumë qytetarë të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit, duke thelluar kështu efektet negative në ekonominë kombëtare dhe duke shkaktuar një mungesë të fuqisë punëtore në tregun vendas.

Ajo bëri thirrje për reforma të thella dhe efektive për të adresuar këto çështje dhe për të përmirësuar jetesën e qytetarëve në Shqipëri.

“Nëse mund ta nisim nga një grafik më parë që krahasonte shqetësimet e 2021 dhe 2024, ashtu si e shoh unë, këtu shoh shkakun dhe atje pasojën. Shkaqet për emigrimin vijnë nga ekonomia, papunësia, korrupsioni.

Çmimet e larta, kostot e jetesës janë shqetësime në grupin e ekonomisë. Emigrimi ndahet në dy elementë kryesorë, në largimin nga familja dhe ndikimin në ekonomi. Ne po e ndjejmë në ekonomi emigrimin.

Bizneset nuk kanë më punonjës. Unë pres të dhënat e Censusit për të kuptuar këto dy elementë. Korrupsioni për mua është shqetësim kryesor. Janë të gjitha këto pasoja të shkaqeve të vitit 2021 që ju i keni pasqyruar shumë saktë. Nga këto shqetësime vihet re se në çfarë stadi zhvillimi është Shqipëria”, tha Tabaku.