Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri gjeorgjian kërkon të rishikohen marrëdhëniet me SHBA-në


Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakly Kobakhidze, bëri thirrje të premten që të rishikohen marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Uashingtoni ndërmori masa ndëshkuese ndaj Tbilisit për shkak të miratimit të ligjit për “agjentët e huaj”.

“Marrëdhëniet Gjeorgji-Amerikë duhet të rishikohen vërtet. Do ta diskutojmë këtë me ambasadorin”, tha Kobakhidze, sipas agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti.

Kryeministri gjeorgjian tha se marrëdhëniet me Uashingtonin u dëmtuan gjatë mandatit të ambasadorit të kaluar, për shkak se ai kishte bërë thirrje për ndryshime të shpejta dhe të dukshme politike.

Parlamenti i Gjeorgjisë – i kontrolluar nga partia Ëndrra Gjeorgjiane e kryeministrit – e miratoi ligjin, i cili u kërkon organizatave që e marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga vendet e jashtme, të regjistrohen si agjentë të ndikimit të huaj.

Ky ligj ka nxitur protesta shumë të mëdha nëpër rrugët e Tbilisit.

Kundërshtarët e këtij ligji thonë se ai është autoritar dhe është i frymëzuar nga një ligj i ngjashëm në Rusi.

Bashkimi Evropian thotë se ky ligj ia rrezikon Gjeorgjisë rrugën drejt integrimit në bllokun 27-anëtarësh.

Këtë javë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi regjim vizash dhe tha se bashkëpunimi dypalësh me Gjeorgjinë do të rishikohet.

Ai tha se ligji për “agjentët e huaj” do ta “shkelë të drejtën për liri të shprehjes” dhe se do ta pengojë punën e organizatave të pavarura të mediave.

Qeveria e Kobakhidzes thotë se ligji do ta promovojë transparencën dhe se do ta ruajë sovranitetin kundër, siç thotë ai, një përpjekjeje në Perëndim për ta futur Gjeorgjinë në konfrontim me Rusinë.

Presidentja gjeorgjiane e kishte përdorur veton kundër këtij ligji, por Parlamenti gjeorgjian ia rrëzoi atë./REL