Përpara se 12 njujorkezë ta cilësonin Donald Trump-in si kriminel, një juri shumë e ndryshme e një lloji tjetër – e mbledhur në hotelin luksoz “Pierre” në Fifth Avenue – kishte arritur një vendim të vetin.
Edhe nëse juria e sallës së gjyqit e shpallte atë fajtor siç ishte akuzuar, përfunduan pasanikët e Wall Street në “Pierre”, ai do ishte sërish zgjedhja e tyre për Shtëpinë e Bardhë.
Ai takim, 16 ditë përpara vendimit historik të së enjtes, nxori në pah llogaritjet e ftohta që janë tani në lojë në financat amerikane.
Nga mbështetësit për një kohë të gjatë te bashkëudhëtarët ngurrues, një numër në rritje i figurave të shquara në biznesin dhe financën e SHBA-së po përqafojnë mundësinë e një rikthimit të Trump-it.
“Vendimi i dënimit të Trump do ketë më pak se zero ndikim në mbështetjen time,” tha Omeed Malik, president i “1789 Capital” dhe bashkëorganizator i mbledhjes së fondeve në “Pierre” për Trump, ndërsa përpunonte lajmet të enjten në mbrëmje. Duke i bërë jehonë Trump-it dhe udhëheqësve republikanë, Malik e karakterizoi të gjithë gjyqin për paratë e heshtura si një “armë të sistemit ligjor” dhe “drejtësi juridiksionale”.
Kjo është mëse e sigurt: Disa financues që braktisën Trump-in pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021 dhe ruajtëen largësinë ndërsa ai vijoi të pretendonte se zgjedhjet e 2020 ishin vjedhur – tani po anojnë sërish në krahun e tij.
Një arsye e madhe për këtë e përmbledhur me një fjalë: para. Trump ka premtuar të ulë taksat për të pasurit dhe të eliminojë rregulloret. Presidenti Joe Biden dëshiron të kundërtën.
Mbledhja e fondeve të rëndësishme në “Pierre”, e organizuar nga miliarderi Howard Lutnick, arriti të hynte në xhepat e thellë në Manhatanin e kastës së lartë, edhe pse gjyqi historik i Trump po shpalosej me hollësi të zymta në një sallë gjyqi në qendër të kryeqendrës financiare. Malik dyshonte se vendimi i fajësisë do ndryshonte mendjen e ndonjë prej personve që ishin atje.
Ose mendjet e shumë të tjerëve, mesa duket. Më pak se dy javë pas atij takimi, pa pritur të mësonte vendimin e jurisë, manjati i kapitalit privat dhe donatori republikan prej një kohe të gjatë, Stephen Schëarzman, njoftoi se ai do mbështeste përsëri Trump-in. Bashkëthemeluesi i “Blackstone Inc.” është ndër 40 njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri prej 41 miliardë dollarësh, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Të enjten disa orë përpara se verdikti të kumbonte nëpër Wall Street dhe Uashington, një tjetër miliarder i shquar i Nju Jorkut, investitori i fondeve mbrojtëse Bill Ackman, tha se ishte i prirur për të mbështetur ish-presidentin. Më vonë, në një postim në X, Ackman i bëri jehonë një postimi të guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, duke sugjeruar se sistemi i drejtësisë amerikane – prokurori i Manhatan-it në këtë rast, gjykatësi dhe madje edhe juria – ishin “përdorur” për qëllime politike. Pretendime të ngjashme janë shpërndarë nëpër mediat sociale.
Një zëdhënës i Ackman kundërshtoi të komentonte, ndërsa Schëarzman dhe Lutnick nuk mund të kontaktoheshin për koment pas vendimit të fajësisë.
Zhvillimet dhe më shumë se ato, koha e tyre nënvizojnë dinamikën e ndryshimit midis Trump dhe disa prej udhëheqësve financiarë të vendit. Askund nuk është më e dukshme kjo se sa në Manhatan, ku Trump për herë të parë fitoi famë dhe pasuri. Për dekada, elitat në qytetin e lindjes së Trump-it e përqeshnin dhe e hodhën poshtë atë si një lojtar me kohë të vogël në prona të paluajtshme – për t’u llastuar, por kurrë nuk e pranuan në mesin e tyre.
Me ditën e zgjedhjeve vetëm pesë muaj nga tani, premtimet e ish-presidentit për taksat dhe rregulloret po fitojnë mbështetjen e drejtuesve financiarë, edhe pse Trump tani është dënuar në gjyqin e parë penal ndaj një presidenti amerikan në historinë e vendit.
“Wall Street nuk ka qenë kurrë i njohur për karakter të lartë dhe vlera të larta,” tha Dan Lufkin, bashkëthemelues i “Donaldson, Lufkin & Jenrette”, banka e investimeve ku Schëarzman dikur punonte.
“A ka gatishmëri për të mbështetur Trump-in nëse duket se ai është në rrugën e duhur? Po,” vijoi Lufkin. “Unë nuk jam krenar për këtë dhe nuk jam pjesë e kësaj.”
(Lufkin fillimisht mbështeti Nikki Haley-n, një e preferuar e hershme e Wall Street-it që tërhoqi mbështetje nga Ken Griffin i Citadel dhe të tjerë.)
Të tjerë si miliarderi Barry Sternlicht duan që kandidatët t’u bëjnë thirrje të moderuarve.
“Po qëndroj jashtë kësaj,” tha ai në një email disa minuta para vendimit.
Pas dy ditësh diskutimi, juria e shpalli Trump-in fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë ndaj një ylli porno. Vendimi mbylli një gjyq të jashtëzakonshëm shtatëjavor që shndërroi skenat dhe traditat e njohura të politikës së viteve zgjedhore në një tablo të mbushur me seks dhe skandal.
Trump, kandidati i supozuar republikan, tani hyn në garën përfundimtare të një gare të vështirë e të ndërlikuar për Shtëpinë e Bardhë me një njollë të zezë që do t’i jepte fund karrierës praktikisht çdo kandidati tjetër presidencial. I vendosur për t’u dënuar pak përpara Konventës Kombëtare Republikane në korrik, ai me siguri do e apelojë vendimin.
Se si do të reagojnë votuesit ndaj kësaj kthese të jashtëzakonshme të ngjarjeve është e pasigurt.
Por mbështetësit e ish-presidentit – duke përfshirë ata në komunitetin e biznesit dhe financiar – tashmë kanë filluar të mblidhen rreth tij. Brenda disa minutave nga vendimi i fajësisë, fushata e Trump qarkulloi një email për mbledhjen e fondeve që e karakterizonte atë si një “të burgosur politik” dhe pyeti: “A është ky fundi i Amerikës?”
Një rritje e interesit shkaktoi ndërprerje të përkohshme në WinRed, faqen që partia republikane përdor për të mbledhur donacione në internet.
Fushata mblodhi gjithsej 34.8 milionë dollarë nga “donatorët e vegjël ” pas vendimit të së enjtes në mbrëmje, tha ajo në një deklaratë.
Trump ka kapitalizuar më parë problemet e tij ligjore për të mbledhur para. Fushata e tij fitoi 25 milionë dollarë më shumë se Biden në prill – e para këtë sezon zgjedhor. Por Biden dhe Partia Demokratike ende kanë në arkë me vlerë 192 milionë dollarë, rreth dy herë më shumë se Trump dhe republikanët.
Scott Bessent, ish-shefi i investimeve të Menaxhimit të Fondit Soros, i cili është ndër ata që kandidojnë për të qenë Sekretar i Thesarit i Trump, tha se ai ishte “personalisht i zhgënjyer” nga vendimi, por nuk mendon se do ketë rëndësi në nëntor.
“Unë mendoj se njerëzit tashmë e kanë marrë vendimin e tyre,” tha Bessent, duke shtuar se zhvillimi mund të nxisë edhe entuziazmin për Trump-in.
Miliarderi John Paulson, të cilin Trump e ka paraqitur publikisht si një kandidat potencial për Sekretar Thesari, e dënoi gjyqin dhe dënimin si të motivuar politikisht, duke e quajtur atë një “njollë të zezë në sistemin tonë gjyqësor”. Vendimi do rriste mbështetjen për Trump, tha ai në një email.
Edhe disa krerë të Wall Street-it, të cilët më parë kanë sulmuar Trump-in, i kanë zbutur qëndrimet e tyre.
Jamie Dimon, në një mbledhje të ish-studentëve të “JPMorgan Chase & Co.” në Bibliotekën dhe Muzeun Morgan në Manhattan të enjten mbrëma, vetëm disa orë pas vendimit, theksoi se ish-presidenti kishte 74 milionë njerëz që votuan për të në 2020 dhe theksoi nevojën për t’i respektuar ata. Ishte një ndryshim nga tirada e tij plot shpërthime ndaj Trump-it në një mbledhje të mëparshme të grupit, kur ngjarjet e 6 janarit ishin ende të freskëta në mendjen e të gjithëve.
Vërejtjet u bënë jehonë komenteve që Dimon bëri në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në fillim të këtij viti, kur tha se Trump kishte “një lloj të drejtë” për politika të caktuara dhe se demokratët duhet “të jenë pak më të respektueshëm” ndaj mbështetësve të tij. Disa nga ata që u mblodhën të enjten mbrëma spekuluan se martirizimi i perceptuar i Trump në fakt do i jepte atij pëparësi në zgjedhjet e nëntorit.
Mbështetësit e Trump-it në Wall Street këmbëngulin se kjo ka të bëjë më shumë se me paratë. Disa theksojnë atë që ata e shohin si një tolerancë në rritje për antisemitizmin midis demokratëve progresivë, veçanërisht pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit dhe fushatës pasuese të bombardimeve të Gazës.
“Rritja dramatike e antisemitizmit më ka bërë të përqendrohem në pasojat e zgjedhjeve të ardhshme me urgjencë më të madhe,” tha Schëarzman në një deklaratë javën e kaluar.
“Unë ndaj shqetësimin e shumicës së amerikanëve se politikat tona ekonomike, emigracioni dhe politika e jashtme po e çojnë vendin në drejtimin e gabuar. Për këto arsye, unë po planifikoj të votoj për ndryshim dhe të mbështes Donald Trump-in për President.”
Më parë, Schëarzman ishte distancuar nga administrata e parë e Trump, pasi Trump iu shmang përgjigjes kur u pyet për protestuesit e krahut të djathtë që mbanin pishtarë, të cilët marshuan në Charlottesville, Virxhinia, në 2017, duke brohoritur slogane antisemitike.
Të tjerë ankohen se progresistët me pikëpamje të zbehtë të kapitalizmit – dhe kapitalistët e Wall Street-it, në veçanti – kanë zgjedhur Biden dhe Partinë Demokratike. Të tjerë ende shqetësohen se Biden, 81 vjeç, është shumë i vjetër për të qenë president (Trump është 77 vjeç).
Ajo që i huton njerëzit si Whitney Tilson është ndjenja e hidhur ndaj Bidenit në mesin e disa kolegëve në komunitetin financiar, madje edhe përballë ngritjeve të njëpasnjëshme të tregut të aksioneve, papunësisë së ulët dhe fitimeve në rritje të korporatave.
“Për njerëzit në biznesin e investimeve, presidenca e Joe Biden ka qenë jashtëzakonisht e mirë për ta”, tha Tilson, i cili dikur drejtonte “Kase Capital Management”, një fond mbrojtës prej 200 milionë dollarësh.
“Është vërtet e çuditshme për mua se si njerëzit që kanë arritur më të mirën nën Joe Biden duket se janë më të pakënaqurit me këtë presidencë.”
Industria financiare nuk ka mungesë të oportunistëve. Dhe Tilson dyshon se kjo shtrihet tek mbështetësit e Trump-it në nivelet e larta të komunitetit të biznesit.
“Ata kanë arritur në përfundimin se Trump do fitojë”, tha Tilson.
“Dhe nëse ai do jetë presidenti i ardhshëm, atëherë është në interesin e tyre që ta mbështesin atë herët.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani