Vendosni fjalën kyçe....

Raketat “Javelin” pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohe


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se raketat amerikane “Javelin”, pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohësh.

Ai shton se vendi ka ekzekutuar pagesat në bazë të planit të paraparë dhe se sistemi “Javelin”, do të jetë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë, por nuk specifikoi një datë për shkak, siç tha të konfidencialitetit që ka procesi.

Maqedonci theksoi se Kosova tashmë zotëron sistemin e raketave turke “OMTAS”, që është i ngjashëm me atë “Javelin”.

Ministri i Mbrojtës në një intervistë për KosovaPress, thekson se qeveria Kurti në tri vitet e fundit ka investuar rreth 240 milionë euro në blerje të sistemit të armatimit.

“Ne jemi në proces të blerjes së Javelin, kemi ekzekutuar pagesat sipas planit të pagesave që kemi. Jemi në proces të prokurimit dhe është çështje tash kohësh dhe koordinimi kur do të vijnë Javelin këtu. Por ne kemi bërë prokurime edhe më herët të sistemeve të ngjashme si Javelin, kryesisht me Turqinë por edhe vende të tjera.

Tashmë kemi në inventarin e FSK-së, sistemin Omtas që është i përafërt me sistemin Javelin, ka të njëjtën mënyrë. Sistemi Javelin do të jenë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë. Nuk mund të jap kohë të caktuar edhe për shkak të konfidencialitetit që ka ky proces”, thekson Maqedonci.

Ai shton se në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën e 2 për qind të bruto-produktit vendor, që sipas tij, është synim të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s.

“Brenda tri viteve të qeverisjes Kurti kemi 239 milionë euro që janë shpenzuar në blerje të sistemit të armatimit. Në krahasim me shpenzimet që janë bërë në të kaluarën është dhjetëra fish më e lartë. Ne jemi duke vazhduar të pranojmë buxhet shtesë prej Qeverisë së Kosovës, krahas rritjes së buxhetit që e kemi në vazhdimësi. Është për t’u theksuar që në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën 2 për qind që synohet të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s dhe shumë prej tyre nuk e kanë arritur.

Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së buxhetit që ka ndihmuar Qeveria e Kosovës dhe fokusit të Kurtit për të ndërtuar kapacitetet mbrojtjes duke investuar në sisteme të armatimit. Në këtë aspekt po vazhdojmë të bëjmë blerje ushtarake. Në këtë aspekt këto blerje ushtarake i realizojmë përmes një sistemi që ne e quajmë shtet me shtet.

Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes të një shtetit të NATO-s, identifikon mundësitë për blerje të atij vendi. Falë mbështetjes që e kemi pas të vazhdueshme, kemi bërë blerje të sistemit të armatimit të cilat kanë qenë të parapara të blihen në faza më të vonshme”, thotë Maqedonci.