Vendosni fjalën kyçe....

I gjendet arsenal armësh në banesë, arrestohet 57-vjeçari në Elbasan, procedohet i vëllai


Policia e Elbasanit ka arrestuar një 57-vjeçar dhe ka proceduar penalisht vëllanë e tij 65-vjeçar pasi gjatë një operacioni në banesat e tyre u zbulua një arsenal armësh zjarri pa leje.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu, tre armë pneumatike, një pushkë trofe, një palë dylbi, dy karikatorë, municion luftarak dhe një thikë.

Materialet procedurale lidhur me këtë rast janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë siguruar informacion për 2 raste të posedimit të armëve të zjarrit.

Ky informacion është hetuar me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, dhe si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Vëllezërit”.

Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Gjergjan, në banesat e shtetasve A. M., 65 vjeç dhe B. M., 57 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

1 armë zjarri kallashnikov me 2 karikatorë me 80 fishekë;
1 armë gjahu gjysmë automatike;
1
⁠armë zjarri pushkë (trofe);
2 pushkë pneumatike;
1 armë pneumatike me dylbi të montuar;
1 palë dylbi;
1 mjet prerës (thikë) i kombinuar me përforcues grushti.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u arrestuan në flagrancë shtetasi B. M., 57 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë, për arsye shëndetësore, vëllai i tij, shtetasi A. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.