Nga e hëna e 3 qershorit rreth 28 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testit të parë të Maturës Shtetërore, atij të gjuhës së huaj. Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Arsimore Parauniversitare, Rezarta Alla garanton maturantët që testi është i hartuar me tre nivele vështirësie, dhe bazuar në programin e tyre mësimor.
“Dua të garantoj maturantët që testet janë hartuar në bazë të programit orientues që ato kanë të maturës shtetërore me të cilin ato kanë punuar. Janë teste të të njëjtit model që ato kanë punuar dhe zhvilluar më parë në shkollat e tyre. Është i hartuar me të tre nivelet e arritjeve, dhe secili maturantë do të marr atë që meriton sipas përgjigjes që do të jap në testin e maturës shtetërore”.
Provimet e maturës do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, dhe do të zhvillohen në salla të mëdha. Sipas Allës rreth 70% e qendrave të provimit janë të pajisura me kamera, që do të monitorojnë procesin e maturës shtetërore, shkruan Shqiptarja.com.
“Provimi do të zhvillohet në 144 qendra provimi, të shpërndara në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Dhe nga MAS janë marrë masa që të zhvillohet në standardet më të larta, në mënyrë që procesi të jetë i njëjtë i barabartë për maturantët. Provimi në salla, por edhe në ambiente palestrash”, thotë Alla.
Këtë vit do të jenë 2000 maturantë më pak që do t’i nënshtrohen Maturës Shtetërore, ndërsa janë rreth 2900 punonjës të të gjithë strukturave të MAS të angazhuar në administrimin e maturës shtetërore. Pas provimit të gjuhës së huaj, Letërsia do të jetë më 10 qershor, Matematika më 18 qershor, dhe provimi i fundit me zgjedhje më datën 24 qershor.