Dr. Anthony Fauci, që ishte eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara deri kur u largua nga qeveria në vitin 2022, u përball me pyetje të nxehta të hënën nga ligjvënësit republikanë lidhur me origjinën e pandemisë së COVID-19.
Një nënkomision i udhëhequr nga republikanët kaloi më shumë se një vit duke hetuar reagimin e vendit ndaj pandemisë dhe nëse një kërkim i financuar nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, mund të ketë luajtur ndonjë rol në mënyrën se si nisi pandemia. Demokratët e filluan seancën duke thënë se hetimi deri më tani nuk ka gjetur asnjë provë që Dr. Fauci ka bërë ndonjë gjë të gabuar, përcejll VOA.
Zoti Fauci – një zë i besuar gjatë pandemisë dhe objekt i sulmeve politike, madje edhe kërcënimeve me vdekje – shpenzoi 14 orë, në harkun kohor të dy ditëve në janar, në një seancë të nxehtë në të njëjtit komision, por me dyer të mbyllura. Të hënën, ai u mor sërish në pyetje, publikisht e para kamerave, për herë të parë që kur i dha fund më shumë se pesë dekadave shërbim në agjencitë qeveritare.
Këtë herë ai u përball me pyetje të reja lidhur me besueshmërinë e agjencisë që ai drejtonte, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Muajin e kaluar, nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve zbuloi disa emaile dërguar nga një koleg i institutit, në lidhje me mënyrat për t’iu shmangur ligjeve mbi të dhënat publike, përfshirë dhe mosdiskutimin e çështjeve të debatueshme në emailet qeveritare.
Shumë shkencëtarë besojnë se virusi ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur në natyrë dhe ka kaluar nga kafshët tek njerëzit, ndoshta nga një treg në Wuhan, qyteti nga e ka zanafillën pandemia. Nuk ka asnjë informacion të ri shkencor që mbështet teorinë se virusi mund të ketë rrjedhur nga një laborator. Sipas një analize të zbulimit amerikan, nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar të dyja teoritë. Ndërkohë një hetim i fundit i agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ zbuloi se qeveria kineze bllokoi përpjekjet për të gjurmuar burimin e virusit, në javët e para të shpërthimit të pandemisë.
Zoti Fauci ka thënë prej kohësh publikisht se ka qenë i hapur ndaj të dyja teorive, por sipas tij ka më shumë prova që mbështesin origjinën natyrore të COVID-19, nisur nga mënyra se si viruset e tjerë vdekjeprurës, përfshirë koronavirusit SARS dhe MERS, kaluan tek njerëzit.
“Kam deklaruar në mënyrë të përsëritur se jam krejtësisht i hapur për secilën nga mundësitë dhe se nëse provat përfundimtare bëhen të disponueshme për të vërtetuar ose hedhur poshtë njërën nga teoritë, jam gati t’i pranoj”, tha ai në deklaratën hapëse të tij në seancën e së hënës.
Republikanët kanë akuzuar gjithashtu zotin Fauci se ka gënjyer Kongresin kur ai mohoi në maj të vitit 2022, se agjencia e tij kishte financuar një proces kërkimor, në një laborator të Wuhanit, mbi ndikimin e mundshëm të një virusi në botën reale – nëse ai forcohej në laborator.
Instituti për vite me radhë i dha fonde një organizate jofitimprurëse në Nju Jork të quajtur ‘EcoHealth Alliance’ që përdori disa nga fondet për të punuar me një laborator kinez që studionte koronaviruset që zakonisht barten nga lakuriqët e natës. Muajin e kaluar, qeveria pezulloi fondet federale për ‘Aleancën EcoHealth’ – dhe propozoi ndalimin e çdo financimi të ardhshëm – duke përmendur si arsye dështimin për të monitoruar siç duhet disa nga eksperimentet e kryera.
Sipas transkripteve nga intervista të dhëna në muajin janar nga zoti Fauci në Kongres ai tha se nga pikëpamja molekulare ishte e pamundur që viruset e lakuriqëve të natës, të studiuar me fondet e ‘EcoHealth-it”, të shndërroheshin në viruset që shkaktuan pandeminë. Të njëjtën gjë ai e tha edhe gjatë deklaratës hapëse të tij të hënën.
Sa i përket fshehjes së të dhënave publike, zoti Fauci tha se nuk kishte përdorur kurrë imeilin e tij personal, për punë qeveritare.
Dr. Fauci u bë një emër i njohur gjatë pandemisë – fillimisht nën administratën e Presidentit Donald Trump dhe më vonë si këshilltari kryesor i Presidentit Joe Biden. Kërkimet nga agjencia që ai drejtoi për 38 vjet, Instituti Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, çuan në prodhimin e vaksinave, që mundësuan në kthimin drejt normalitet.