Prej ditës së sotme në gjykatën e Durrësit do të zhvillohen vetëm seancat për dhënien e masave të sigurisë, ndërsa seancat e tjera për çështje civile apo penale do të shtyhen për një afat tjetër, për shkak të bojkotit një javor, të vendosur nga Dhoma e Avokatisë Durrës.
Lënia e avokatëve jashtë dyerve të gjykatës, deri në nisje të seancave ka nxitur reagimin e këtyre të fundit.
“Qasja e Gjykatës për të lënë avokatët jashtë, në një ambient shumë të vogël dhe të tejmbushur me njerëz, jashtë çdo kushti higjenik, në një sezon si virozash ashtu edhe temperaturash të larta është e papranueshme dhe denigruese për figurën e avokatit. Nuk kemi një vendim të shkruar akoma, që të pasqyrohet arsyeja e lënies jashtë, thjesht është një vendim i administratës dhe është bërë bllokimi tek dera hyrëse e gjykatës. Vendimi na është komunikuar tek për tek” tha Lorval Petani Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës.